LDK festoi 29 vjetorin e themelimit të sajë si partia e parë shqiptare në mbarë hapësirën e ish Jugosllavisë, në pluralizmin politik, fill pas fillimit të rënies së sistemit komunist dhe si pasuese e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës.
Shkruan: Sabedin SINANI
Themelimi i kësaj partie ishte nevojë e re e kohës dhe organizimit politik të shqiptarëve të Kosovës dhe reaksion ndaj nacionalizmit dhe fashizmit serb që ishte në ekspansion dhe idetë e tyre të çmendura për Serbinë e madhe.
Kjo Lëvizje nxori në krye anti-komunistin e përbetuar Dr. Ibrahim Rugovën, një kritik letrar dhe një nga intelektualët e kohës nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, por edhe një i vuajtur nga sistemi i komunist dhe fashist serb të cilit qysh në moshë të re i patēn pushkatuar babën dhe gjyshin e tij.
Dr. Ibrahim Rugovës iu bashkëngjiten shumë intelektual, shkrimtarë, poet, gazetarë, profesorë e studentë, e njëri nga ta ishte dhe profesori i Sociologjisë Fehmi Agani.
Rugova krijoi bërthamën e mendimit politik të shqiptarëve të Kosovës. Pa LDK-në dhe Rugovën do të ishte shumë e vështirë të kuptohej drejtë nga bota demokratike dhe lufta e popullit tonë për Liri e Pavarësi nuk do ta merrte mbështetjen e miqve tanë.
Ai hapi dyert në të gjitha kancelaritë evropiane dhe Amerikane, si shpërblim për rreshtimin e tij pro-perëndimor dhe demokracia si rend shoqëror dhe idesë së tij për Republikën e Kosovës.
Ai ishte një pacifist i përkryer, nacionalist racional, në kohen kur populli shqiptarë i Kosovës vuante nën shtypjen e egër serbe dhe pothuajse po i shuheshin shpresat, ai besonte në miqtë tanë dhe në NATO-n si forcë ushtarake që do të ndërhyjë për ta mbrojtur popullatën nga makineria ushtarake serbe, ashtu edhe siç ndodhi më 1999.
Tashmë kudo nëpër qendrat e vendosjes flitej hapur për problemin e Kosovës dhe vuajtjet e popullit nën okupimin serb, të përjashtuar nga jeta shoqërore, mijëra punëtorë të përzënë nga puna, nga sistemi shëndetësor e Arsimor, ai arrite dhe krijoi një sistem paralel të arsimit, shëndetësisë, kulturës etj.
LDK pa dyshim që mbetet në histori si lokomotivë e proceseve politike dhe orientimit pro-perëndimor të shqiptarëve të Kosovës, fill pas shembjes së murit të Berlinit dhe ideator e krijimit të shtetit të Kosovës.
Kosova e pavarur e hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë me miqësi të përhershme me SHBA-të mbeten postulat i Dr. Ibrahim Rugovës.
29 vite më vonë LDK e ruan aurën institucionaliste, por është pa Ide dhe shterpë, duke mos mundur të shtyjë dhe t’i paraprijë reformave të shoqërisë kosovare!