Numri i rasteve me sëmundjen e kancerit çdo ditë e më shumë po rritet në Kosovë.
Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti, janar dhe shkurt, janë regjistruar 318 raste të reja. Kanceri më i dominuar është i gjirit dhe sistemit gastrointestinal.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi.
Ndryshe nga gjinia femërore, te meshkujt dominon kanceri i mushkërive dhe zorrës së trashë, thotë Kurtishi.
“Në dy muajt e parë të vitit 2024 janë regjistruar 318 raste të reja me kancer. Me dominim të kancerit të gjirit me 78 raste, pastaj 75 raste me kancer të sistemit gastrointestinal. 100 raste të sistemit urogjenital, 50 të mushkërive. Në Kosovë vazhdon të dominojë kanceri i gjirit te femrat, ndërsa te meshkujt dominon kanceri i mushkërive dhe zorrës së trashë”, tregoi Kurtishi për Front Online.
Kurtishi: Ka rritje të rasteve të prekjes me kancer ndër moshën 50 vjeç
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka bërë të ditur se ka rritje të rasteve të prekur me kancer tek personat ndër 50 vjeç. Ai tregoi se cilat mosha janë më të prekurat nga kjo sëmundje.
“Mosha më e atakuar është ajo ndërmjet 50-60 vjeç edhe pse kemi një rritje të lehtë dhe rasteve edhe ndër moshat 50 vjeç”, tha ai.
Mungesë të barnave aktualisht në klinikën e Onkologjisë nuk ka. Kurtishi deklaroi se ndonjëherë përballën me mungesa të vogla.
“Po, klinika është e furnizuar mirë me barna dhe pacientët marrin trajtimin adekuat sipas stadit të sëmundjes dhe llojit të saj. Furnizimi është i mirë, edhe pse ka ndonjë herë mungesë të vogla të disa barnave, por në përgjithësi mbi 90% të barnave të LEB gjendën në klinikë”, u shpreh Kurtishi.
Kurtishi: Rreth 300 pacientë trajtohen në ditë me Kimioterapi në Onkologji
Kurtishi tha se nga fillimi i vitit vetëm një pacienti i është rekomanduar trajtimi jashtë vendit.
Ai thotë se rreth 300 pacientë gjatë ditës trajtohen në Shërbimin e Kimioterapisë.
“Sa i përket trajtimit jashtë vendit, në këtë fillim vit kemi shumë pak kërkesa edhe ata për trajtim me rrezatim të sofistikuar si Radiokirurgjia e që vetëm një pacientë i është rekomanduar një trajtim i tillë. Marrë parasysh numrin e lartë të pacientëve që trajtohen në klinikën tonë brenda ditës, rreth 300 pacientë në shërbimin e Kimioterapisë dhe rreth 150 pacient në shërbimin e Radioterapisë”, tregoi Kurtishi për Front Online.
50 mijë vizita onkologjike janë ofruar për pacientët nga muaji janar i vitit 2023 deri në dhjetor në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kurse sipas regjistrit të klinikës ka pasur 2 mijë raste të reja me kancer, ka njoftuar SHSKUK-ja.