Në 35-vjetorin e themelimit të Degës së LDK-së në Gjilan, nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i degës, Lutfi Haziri, ka kujtuar rrugëtimin historik të partisë shtetformuese dhe kontributin e veprimtarëve të saj.
Haziri tha se ky përvjetor shënohet aty ku gjithçka nisi, në Shtëpinë e Kulturës “Zija Shemsiu” në Përlepnicë, ku 35 vite më parë u formua dega e LDK-së në Gjilan. Ai theksoi se viti 2025 do të jetë “viti i falënderimit për Rugovistët”, duke nderuar ata që i dhanë shpresë rrugës për liri, pavarësi dhe demokraci.
Me këtë rast, Haziri ka shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë veprimtarët dhe aktivistët, veçanërisht për ata që nuk janë më në mesin tonë, por që me guximin e tyre ndihmuan në ndërtimin e së ardhmes së vendit.
Statusi i plotë:
35-vjetori i LDK-së më Gjilan, viti i falënderimit ndaj Rugovistëve
Aty ku e nisëm 35 vite më parë, në Shtëpinë e Kulturës “Zija Shemsiu” në Përlepnicë, u mblodhëm bashkë për ta shënuar këtë përvjetor të madh të themelimit të partisë shtetformuese.
Më 4 mars 1990 u themelua Dega e LDK-së në Gjilan, ku kryetar i Kuvendit Zgjedhor u zgjodh Musa Qerimi, por kësaj ngjarjeje i parapriu 23 janari 1990, ku u themelua Këshilli Organizativ për themelimin e LDK-së, me kryetar tashmë të ndjerin dhe të paharrueshmin, veprimtarin e madh, Dalip Dalipi.
2025-ta do të jetë vit falenderimit për LDK-në dhe Rugovistët, ata burra e gra që i dhanë shpresë e besim rruges për liri, pavarësi e demokraci.
Urime 35-vjetori i Degës së LDK-së dhe faleminderit deri në përulje veprimtarëve e aktivistëve për kontributin e jashtëzakonshëm, në veçanti ndaj atyre që nuk janë në mesin tonë e që nuk u frikësuan në një kohë të pakohë.
Faleminderit gjilanasve dhe të gjithë Anamoravës kudo që janë!