Pavarësisht rritjes së numrit të automjeteve në qarkullim, një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve deklarojnë se nuk kanë mundësi financiare për të blerë një makinë personale.
Sipas të dhënave të Eurostat, 41% e shqiptarëve deklaruan në vitin 2023 se nuk mund ta përballonin blerjen e një automjeti. Kjo përqindje është dukshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila ishte 5.6% në vitin 2023 dhe 5.5% në vitin 2025.
Shqipëria kishte përqindjen më të lartë edhe në rajon. Në Serbi, 16% deklaruan në vitin 2023 se nuk mund të blinin makinë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut kjo përqindje ishte 13% dhe në Mal të Zi 8.9%. Për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën nuk ka të dhëna të krahasueshme.
Ndërkohë, në fund të vitit 2025, në Shqipëri ishin në qarkullim rreth 847 mijë automjete personale, ose rreth 360 makina për 1,000 banorë.
Në Bashkimin Evropian, mesatarja ishte 578 makina për 1,000 banorë. Numrin më të lartë e kishte Italia, me 709 automjete për 1,000 banorë.
Të dhënat e Eurostat matin përqindjen e popullsisë që jeton në familje të cilat deklarojnë se nuk kanë mundësi financiare për të pasur një makinë për përdorim personal.










