Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) tash e një javë është në grevë të përgjithshme pasi kërkon rritjen e pagave për punëtorët e arsimit. Mos plotësimi i kërkesave të mësimdhënësve ka bërë që të filloi java e dytë e bojkotit të mësimit në të gjithë vendin.
E për të filluar mësimin, SBASHK-u ka kërkuar rritjen e koeficientit të pagave për mësimdhënësit prej 30 për qind. Por plotësimi i kërkesave të SBASHK-ut, buxhetit të shtetit i kushton 45 milionë euro brenda vitit.
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës Donjeta Gashi ka bërë të ditur për Telegrafin se kostoja për rritjen e pagave sipas kërkesave SBASHK-ut, buxhetit të shtetit brenda një vitit i kushton 45 milionë euro.
“Kostoja e kërkesës se tyre është 45 milionë euro në vit. Ajo që është ofruar nga Qeveria është rreth 20 milionë euro në vit”, ka thënë zëdhënësja Gashi.
Por kryeministri Ramush Haradinaj të dielën u kishte ofruar rritjen e pagave mësimdhënësve të niveleve të ndryshme deri në 10 për qind, e jo 30 për qind siç është kërkesa e SBASHK-ut.
Rritja për mësimdhënësit e shkollave të mesme është nga 523 në 597.8 euro, ose 74 euro nga paga aktuale, për arsimin fillor rritja është nga 479 në 525.8 euro, apo 46 euro më shumë nga paga aktuale, për rreth 15 mijë mësimdhënës të arsimit fillor, ndërsa për mësimdhënësit në arsimin parashkollor ka rritje po ashtu nga 447 euro në 501.9 euro, apo 54 euro më shumë.
“Nëse flasim për mbi 20 mijë mësimdhënës sa janë, Qeveria e Kosovës e ka respektuar kërkesën e grevistëve dhe është dakorduar për rreth 20 milionë euro rritje të pagave për arsimin”, kishte thënë kryeministri Haradinaj.
Kurse, Ymer Ymeri, zyrtar për financa në SBASHK, tha për Telegrafin se kjo rritje nuk i plotëson kërkesat e kësaj sindikate.
“Kjo rritje nuk i plotëson as afërsisht kërkesat tona, për shkak se rritja është nga 8 deri 10 për qind”, tha Ymeri.
Ndryshe, buxheti për vitin 2019 në shumë prej 2.3 miliardë euro, ende nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës.