Në një ceremoni të organizuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, 47 kandidate për zyrtare korrektues kanë nënshkruar kontrata pune me Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, në fjalën e saj duke iu drejtuar kadetëve të reja, tha: “Një iniciative të tillë si Ministri e Drejtësisë e kemi marrë bazuar edhe në obligimet që dalin nga Ligji për Barazinë Gjinore, por edhe në programin tonë qeverisës dhe përpjekjet e aspiratat tona të përbashkëta për barazi gjinore dhe krijim të kushteve të përshtatshme për trajtim të barabartë”.
Shtimi i numrit të grave në Shërbimin Korrektues do të jetë synim i ynë edhe në të ardhmen që të krijojmë një barazi gjinore edhe në Shërbimin Korrektues përveç resorëve tjera. Prandaj, për këtë qëllim do të ndërmarrim të gjitha veprimet dhe masat administrative të nevojshme me synim të arritjes së kësaj aspirate të përbashkët, tha ministrja Haxhiu.
Zyrtaret e reja nga e hëna do të fillojnë trajnimin shtatëmujor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ndërsa pas përfundimit pritet të fillojnë angazhimin e tyre në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, Qendrën Korrektuese Lipjan, Burgun e Sigurisë së Lartë, Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë dhe në Qendrën Korrektuese të Dubravës.