Mbrëmjen e së premtes, një person i maskuar ka gjuajtur me kallashnikov në drejtim të një autobusi, që si pasojë la të vdekur tre persona, shoferin e autobusit, Gani Gjokaj dhe dy nxënës të shkollës së mesme, G.M dhe L.H.
Për gjetjen e përgjegjësit që ka kryer këtë vrasje të trefishtë, institucionet e sigurisë dhe drejtësisë kanë thënë që janë mobilizuar, mirëpo edhe pas 48 orëve asnjë i dyshuar nuk është kapur, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Prokuroria e Shtetit ka kërkuar ndihmën e qytetarëve të Kosovës, që për çfarëdo informacioni kanë në lidhje me autorin e krimit t’i informojnë organet e drejtësisë. Madje, është vënë shpërblim 20 mijë euro pë rata që kanë informacione për autorin e veprës.
Kërkimi po vazhdon nga të gjitha anët, teksa nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se kanë marrë informacione të shumta në lidhje me ngjarjen.
Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë ka njoftuar sot se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit të vrasjes së tre personave në Deçan, por pranoi se hetimet “nuk janë të lehta”.
“I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë”, tha për Radion Evropa e Lirë prokurorja e rastit, Sahide Gashi, por pa dhënë detaje të tjera, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Motivi i të shtënave nuk është ende i qartë, por Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka arsye për të besuar se incidenti është akt terrorist.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e kanë cilësuar ngjarjen si “tronditëse” dhe i kanë ftuar organet e rendit që t’i zbulojnë sa më parë autorët e krimit dhe t’i sjellin para drejtësisë. /Reporteri.net/