Pas konfirmimit të katër rasteve të reja me Covid-19 dhe viktimës së shënuar gjatë ditës së sotme në Gjilan, sot janë marrë mbi 50 mostra të reja testimi, që dyshohet se janë prekur nga pandemia.
Kjo është bërë e ditur nga vetë kjo komunë, të cilët në një përgjigje për Metron, kanë njoftuar se rritja e rasteve të konfirmuara me koronavirus është rritur për shkak të moskujdesit gjatë kontaktit me personat nga fshati Topanicë dhe Hodonoc të Kamenicës.
“Numri është rritur si pasojë e moskujdesit sepse të gjitha janë raste kontakti me Topanicë dhe Hodonoc dy fshatra të Kamenicës. Po vazhdohet të merren mostra edhe sot janë marre diku mbi 50 mostra për testim”, thuhet në përgjigjen e nënkryetarit të kësaj komunë, Arbër Ismajlit, dhënë Metros.
Ai tutje ka shtuar se ka ende qytetarë të cilët nuk po respektojnë masat e marra për kujdes në lëvizje, duke paralajmëruar se janë në fazën e vlerësimit e që deri në ditën e martë, më 28 prill, nëse nuk rritet kujdesi qytetar do të ashpërsohen masat edhe më shumë nga ana e kësaj komune.
Gjatë ditës së djeshme u raportua se një banorë i fshatit Topanicë ka vizituar vajzën e tij në Gjilan dhe si pasojë e kësaj vizite ndër-familjare, 17 persona u infektuan me Covid-19, në mesin e të cilëve është edhe një pjesëtare e FSK’së.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme është raportuar për vdekjen e 21’të si pasojë e koronavirusit në Kosovë, ku viktima e fundit ishte me vendbanim në fshatin Malishevë të gjilanit, duke shënuar kështu vdekjen e dytë në këtë komunë nga pandemia.
Që nga 22 Marsi që kur është prekur nga kooronavirusi, deri më sot komuna e Gjilanit ka shënuar 51 raste pozitive me virusin korona, nga të cilat 18 janë shëruar, dy kanë vdekur, nëntë po qëndrojnë në hospitalizim dhe 22 të tjerë janë në vetizolim. /gazetametro/