Nga data 8 shkurt deri më 14 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 18.512 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.486 raste, nga të cilët janë 33 raste të vdekjes që kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 953 ndërkohë që 33 persona kanë vdekur.
Numri i rasteve aktive është 500.
Vetëm në tri ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar 160 raste të infektuarve me COVID-19, kurse 32 persona janë shëruar. Ndërsa dy persona të infektuar kanë humbur jetën në dy ditët e fundit.
Rritja alarmante e numrit të prekurve me coronavirus në tri ditët e fundit, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, është shqetësuese dhe tregon përkeqësim të situatës epidemiologjike me rrezik të shkuarjes drejt humbjes së kontrollit.
IKSHPK thotë se që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mos mbajtjes së distancës dhe mos mbajtjes së maskave. /Reporteri.net/.