Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia bashkë me kryesuesin e grupit punues për hartimin e Listës Esenciale të Barnave, Dr. Driton Vela, mbajtën konferencë për media ku bënë të ditur se për vitin 2023 është rritur më shumë se dyfish buxheti për Listën Esenciale të Barnave.
Ministri Vitia deklaroi se nga 24 milionë euro sa ishte buxheti në vitin 2018, për vitin 2023, janë ndarë 60 milionë Euro.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në lehtësimin e jetës së qytetarëve në fushën e shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 60 milionë euro për Listën Esenciale të Barnave që është më shumë se dyfish rritje e buxhetit, krahasuar me vitin 2018 kur buxheti ishte 24 milionë euro. Paralelisht me këtë rritje të buxhetit, ne kemi dërguar për votim edhe projektligjin për çmimin tavan të barnave, pas miratimit të të cilit, do të zgjerohet edhe më shumë gama dhe sasia e barnave. Do të kemi edhe barna më shumë, por edhe çmime më të lira. Pra, kursim i dyfishtë i xhepave të qytetarëve. Kuptohet, zgjerim i gamës së konkurrencës do të minimizojë edhe monopolin e kompanive farmaceutike për produkte të caktuara”, tha ndër të tjera ministri Vitia, i cili theksoi se Lista Esenciale e Barnave është bërë në bazë të kërkesave të klinikave dhe spitaleve, në përputhje me buxhetin.
Ndërsa, kryesuesi i grupit punues për hartimin e LEB, Driton Vela, njoftoi se parashihen barna të reja për dhjetëra indikacione të pambuluara deri më tani, shumë prej të cilave përcillen me komplikime vdekjeprurëse për pacientin.
“Mbi 70 produkte të reja për trajtimin e sëmundjeve të cilat prekin çdo organ të trupit. Janë pranuar propozimet në interes të qytetarëve, veçanërisht ato që e zgjerojnë konkurrencën dhe e rrisin cilësinë. LBE është e bazuar në dëshmitë më të fundit shkencore, kosto-efektivitetin e barnave, rëndësinë për shëndetin publik, prioritetet shtetërore në shëndetësi. Kritere strikte për ordinimin e barnave me indikacione të qarta duke përfshirë edhe mekanizmin e konziliumit të profesionistëve të fushës”, deklaroi Vela.
Në Listën Esenciale të Barnave përfshihen të gjitha produktet e parapara në koncept dokumentin për sëmundje të rralla, miratuar në Qeverinë e Kosovës në dhjetor 2022.