Tani e 18 vite Osman Ibrahimaj del çdo ditë për vrapim në fshatin Stanishor të Gjilanit.
Ibrahimaj, i cili është pjesë e grupit ‘Vullnetarët e mëngjesit’ niset rreth orës 5 të mëngjesit, për të vazhduar me vrapimin rutinor disa orësh.
Vrapimi ndër vite e ka kalitur aq mirë trupin e tij, sa lodhjen nuk e ndjen as sot që është 78 vjeçar.
Ai tregon për Indeksonline, se vrapimi e ka ndihmuar shumë shëndetin e tij dhe i ka mposhtur sëmundjet dhe moshën.
Në thellësi të këtij fshati janë mjetet për ushtrime, për çka Osmani e sfidon veten edhe në ushtrime dhe jo vetëm në vrapim.
Në total, nga shtëpia e tij ai ecën dhe vrapon 17 deri në 20 kilomentra, për të vazhduar me ushtrime të tjera fizike në mal.
“Unë dal çdo ditë në këmbë dhe kthehem diku 20 km. Ndihem shumë mirë dhe ajri i freskët i mëngjesit më ndihmon edhe më shumë, mbushem jetë dhe frymëzim për me dal prapë ditën tjetër”, ka thënë Ibrahimaj.
Përveç aktivitetit fizik, Osmani ka edhe një arsye tjetër dhe mision po aq të veçantë.
Ai tregon se pothuajse çdo ditë qytetarë të pëndërgjegjshëm lënë mbeturina në mal dhe po ashtu i njëjti nuk përton t’i mbledh ato.
“Unë nuk kam ndonjë detyrë atje, dal për qef për shëndetin tim, ushtroj sa mundem dhe mbledh ato mbeturinat që i hedhin, i mushi qeset. Edhe kjo më ndihmon si për fizik, por edhe pylli duket më mirë dhe më i shëndetshëm pa mbeturina dhe pa kundërmim. Unë e dua natyrën jo vetëm për vete dhe shëndetin tim, por edhe për të tjerët. Që secili që vjen te ushtrimet të ndihet mirë dhe pushoj”, ka thënë ai.
78 vjeçari merr pjesë në shumë vrapime maratonike e gjysmë maratonike që mbahen në Gjilan dhe jo vetëm.
Ai ka një mesazh për të gjithë ata që duan një shëndët të mirë dhe pa komplikime shëndetësore.
“O kush del ne mal nuk ka ma mirë, shendeti i mirë, ajri i pastër, aroma e pishave është shumë e shëndetshme dhe ndihesh më i ri. Harron çdo problem dhe largon emocionet e kqia. As nuk më nevojiten barna, nuk kam asnjë sëmundje dhe jam shumë i motivuar për jetën. Do të dal sa të mundem nuk do të më pengojnë vitet”, ka përfunduar Ibrahimaj.
Ndryshe, Ibrahimaj është vetëm një nga shumë njerëz të cilët nga jeta dinamike, ushqimi dhe punët e përditshme zgjedhin aktivitetin fizik, fituesin apo vrapimin në natyrë./Indeksonline/