Fjalimi i Qazim Azizit, drejtorit të Bibliotekës Rajonale “Fan S. Noli”, para të pranishmëve, në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit të themelimit të kësaj biblioteke/
***
Para jush do të paraqes pak kronologji, duke tregu se sa me vështirësi kemi ardhur deri tek kjo ngjarje, pra, 80 vjetori i Bibliotekës së Qytetit të Gjilanit. Por fillimisht më lejoni t’ju tregoj disa ndodhi nga viti i fundit para se të hynim në këtë godinë.
Pra, vjet, gjersa po përgatiteshim të kalonim në këtë ndërtesë të bukur të Bibliotekës së Qytetit, dhe unë posa kisha marrë detyrën e drejtuesit të këtij institucioni dhe t’ ju them të vërtetën kisha shumë frikë.
Ja pse? – sepse që nga nëntori dhjetori akoma viti 2016 janari shkurti, marsi prilli e maji, i vitit 2017 ne vinim të shihnim se si po shkojnë punët këtu. Të entuziazmuar e të gëzuar por edhe të frikësuar, unë dhe kolegët e mij. Inxhinieri, mbikëqyrësi i punëve Agroni, ishte shumë skeptik se ne do të kishim njohuri për këtë punë,do të kishim aq fond librar dhe materiale tjera bibliotekare,por, edhe lexues dhe përdorues për këtë Bibliotekë, që ai thoshte shpesh “ah bre drejtor shumë e madhe është kjo ndërtesë dhe vështirë me u mbajt dhe mbushë, i zë brenda krejt librat çka mund gjinden në bibliotekat në Kosovë” kështu mua dhe kolegëve na rëndonte akoma më shumë situatën dhe na vinte kështu akoma më shumë në vështirësi dhe përgjegjësi me këto gjëra se si do të dukej para gjilanasve kjo ndërtesë e bukur.
Ai si inxhinier i dinte mirë punët e ndërtimit dhe hapësirës së madhe në bibliotekë e ne e ndjenim presionin dhe e dinim se do të ishte vërtet vështirë për t’u bartur tërë ato libra e materiale tjera nga biblioteka e vjetër.
Dhe nga ana tjetër duke reflektuar më shumë e mendonim, si mund të ishte e vështirë kjo, kur më 1938 këtë vit të largët në këtë qytet disa të rinj intelektual të gjitha komuniteteve shqiptarë serb, turq etj (siç nxirret nga dokumentet e ndryshme një grup i vogël njerëz me emër “Shoqëria e Gjilanasve”) qytetar të një kasabaje të vogël dhe indiferente Gjilanit, morën një iniciativë të pamundshme, krijimin e Bibliotekës së qytetit.
80 vjet më parë vetëm e çuarja në mend se në kryeqytetin më antishqiptar të kohës në Beograd të merrej një iniciativë e tillë e krijimit të një biblioteke në Gjilan ishte jashtë çdo logjike normale.
Pastaj, vijnë vështirësitë njëra më e madhe se tjetra, vështirësia e madhe e hyrjes së librit në gjuhën shqipe si shembull. në bibliotekë në vitet e pasluftës vetëm 22 shtator 1955hyn libri i parë me titull “Kënga për mbretin Nar ”me nr të Inventarit 1236–por i shkruar në çirilicë-serbisht. Nga ky vit deri më 1958 nga afërsisht 5000 ekzemplarë libra të hyrë në bibliotekë, vetëm 827 tituj ishin në gjuhën shqipe e mbi 4 mijë tjera në gjuhën serbe.
E mendova pastaj se me çfarë vështirësie është ndeshur prof Ruzhdi Ushaku si drejtor i parë shqiptar i një biblioteke ku shumica e librave ishte ne gjuhën serbokroate, me çfarë vështirësie do të ndeshej Ibrahim Shabani duke u munduar që fondet librare t’i përshtatë në proporcion me lexuesit dhe popullsinë e Gjilanit (edhe pse ai dhe kolektivi i atëhershëm i bibliotekës po në vitin 1976 ishin zgjedhur si Bibliteka më e mirë në ish R e Serbisë), pastaj cilat kanë qenë vështirësitë e Sahit Eminit në krijimin dhe përkthimin e katalogut dhe skedave nga serbishtja në gjuhën shqipe. Pastaj vështirësitë e ish drejtuesve tjerë Reshat Ramadani që pas lutës së fundit Bibliotekën e kishin gjetur të shkatërruar totalisht dhe kjo vështirësi jonë gjatë këtij viti na u dukën-Kënaqësi prej vështirësie apo Vështirësi të mrekullueshme”.
Desha të ndalem pak edhe tek rëndësia e punë dhe veprimtarisë profesionale bibliotekare. Tani statistikat në bibliotekë nuk janë më të rëndësishmet për të tregu se një institucion bibliotekar është i suksesshëm, -ecja me kohën është e rëndësishme – si hap të parë biblioteka e ka synim serioz që nga viti i ardhshëm të fillojë formimin e Katalogut Elektronik dhe të krijimit të njësive të para digjitale. Por, këto hapa kërkojnë edhe një ekip të bibliotekistëve të specializuar në katalog përpunim dhe në përgjithësi profesionist të bibliotekarisë.
Nga këtu e bëj edhe një thirrje për kolegët e rinj librarë e bibliotekarë që të ruajnë me xhelozi kodeksin e profesionit të tyre, të çmojnë thirrjen Bibliotekist – librar, me këtë rast, do të tregoj një ngjarje të vërtetë që ka qenë si Top shkrim dhe një gjest i padëgjuar më herët dhe ishte në faqen e parë të IFLA-s, kjo është ngjarja
“Ju e dini se Arabia Saudite ka një Bibliotekë ndër më modernet në botë “Biblioteka e Mbretit Fahd”- bibliotekari dhe profesionisti më i vjetër i institucionit mbretëror, para se të hapej i bëri një thirrje një “Letër Publike” vet mbretit duke i thënë se “Madhëria Juaj, që vjen nga fisi i profetit, je vet i zgjedhuri i zotit, sytë e veshët e këtij populli, të kisha lutur që këtë bibliotekë të mos e udhëheq dikush që nuk e njeh profesioni e bibliotekarisë, ndonjë injorant që nuk di vlerën e librit dhe vet trashëgimisë shpirtërore.
Paraprakisht, dua që t’ju them edhe disa fjalë për punën e këtij kolektivi të zellshëm vetëm për këtë vit në bibliotekë kemi të regjistuar afërsisht 4 mijë anëtarë të rregullt saktë 3794 dhe 21 714 shërbime apo lexim të librit nga përdoruesit tanë, numër jo i kënaqshëm por në standarde të nivelit ballkanik, dhe krejt kjo punë për këtë gjysmë viti është bërë nga duart e znj Hyrije, Shqipe, Lumturije e Mukadezes, Violetës, Lilit e Arianës, Fatimes, Shabanit, Habimit, Bejxhetit, Ibrës e besa edhe unë punoj nganjëherë.
Në fund, duke falënderua edhe një herë Bashkimin Evropian për godinën e Bibliotekës, “Krapi Kompany” për punët e kryme dua të falënderoj edhe znj. Nesrin për bartjen e amanetit të burrit të saj dhe intelektualit Gjilanas Enver Tali për dhurimin e Bibliotekës personale” për Bibliotekën e Qytetit siç ka bërë dhe autori tjetër Gjilanas Ramadan Mehmeti, kryetarin Haziri i cili i ka shty punët e kësaj biblioteke me shumë mund. Duhet falënderuar gjithashtu dhe dhjetëra apo qindra autorë dhe qytetar Gjilanas që nga emrat me A deri me emrin Zh ata na bënë që kjo bibliotekës të funksionojë më mirë dhe më lirshëm.
Ju faleminderit..!
Krejt në fund dua me ju tregu një thënie nga shkrimtari i madh amerikan shumë i dashur për lexuesit, një romancier përshkrues dhe novelist i madh luftëtar e aventurier, Heminguej,iu drejtohej më shumë burrave “burra duani gratë tuaja, por mos harroni ti doni edhe të dashurat”, unë e kam zbërthyer se ai ka dashur të thotë kështu “Duani gratë, ju gra ti duani burrat tuaj, por mos harroni, mos harroni asnjëherë të dashuroni leximin dhe librin.
Kaq kisha,Ju faleminderit..!