Gjilan, 28 nëntor 2016 – Komuna e Gjilanit, me homazhe tek varrezat e dëshmorëve, ka nisur aktivitetet e shumëta për nderë të 28 Nëntorit, shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditën e Flamurit.
Kryetari Lutfi Haziri, pasi ka uruar të gjithë shqiptarët, ka thënë se sot po nderohen të gjithë ata që janë më meritorët, dëshmorët, heronjtë, martirët dhe viktimat, të cilët u sakrifikuan për këtë ditë të bardhë.
“Uroj të gjithë bashkëvendasit dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë këtë festë të madhe të 28 Nëntorit. Ne sot nderojmë të gjithë ata që janë më meritorët, dëshmorët, heronjtë, martirët dhe viktimat, të cilët u sakrifikuan për këtë ditë të bardhë. Gjilani dhe Anamorava në këtë përvjetor të madh, përveç kryengritjes së madhe të Idriz Seferit, shënon edhe përvjetorin e rëndë të masakrës së Gjilanit dhe kryengritjes së Mulla Idriz Gjilanit”, tha Haziri.
“Ne do të vazhdojmë t’i përmbyllim këto përvjetore të mëdha, në mënyrë që historia të zbardhet mbi veprën e këtyre patriotëve të mëdhenjë, në mënyrë që qytetarët të jenë sa më të njoftuar me aktin sublim. Në këtë ditë të bardhë, uroj vërtetë të ketë harmoni dhe çdo të mirë në çdo familje shqiptare”, ka shtuar Haziri.
Më pas, kryetari i Gjilanit me bashkëpunëtorë ka bërë homazhe para lapidarit të Agim Ramadanit, tek dëshmorët Nuhi Beridha e Rexhep Mala dhe tek busti i Alban Ajetit.