Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë po vijon vaksinimi kundër COVID-19. Sot në këtë qendër u vaksinuan mbi 350 persona, ndërsa në nivel vendi mbi 1550 persona. Kurse deri më tani në përgjithësi janë vaksinuar 85 mijë e 300 qytetarë.
Koordinatori i qendrës së vaksinimit, Niman Bardhi tha se në sallën “1 Tetori”, po vijon vaksinimi i qytetarëve me dozën e parë dhe të dytën, me të dy vaksinat, Pfizer dhe Astra Zeneca.
“Në sallën ‘1 Tetori’ po ashtu në nivel vendi është duke vazhduar procesi i vaksinimit. Aktualisht në sallën ‘1 Tetori’ deri më tani kemi mbi 350 të vaksinuar dhe bëhet fjalë për vaksinimin që janë me dozë të parë dhe njëkohësisht edhe vaksinimi me dozë të dytë, nga të dy llojet e vaksinave qoftë Pfizer apo Astra Zeneca, flas për dozën e dytë. Ndërsa nëse jemi në nivel vendi deri më tani kemi mbi 1550 të vaksinuar, ndërsa nëse i referohemi shifrës totale nga dita e parë e procesit të vaksinimit kemi atëherë mbi 85 mijë e 300 të vaksinuar”, tha ai.
Në Kosovë sot është konfirmuar rasti i parë i variantit të ri afrikan, Sars CoV-2, i cili nga ekspertët shëndetësorë po cilësohet mjaft i rrezikshëm./KP