Tash e tutje duhet të mendoni mirë nëse e vlen të hyni në mal të shtetit, për të vjedhur dru, sepse nëse deri më tani keni mundur t’i shpëtoni rojës, tanimë e keni vështirë t’i shpëtoni dronit, i cili ju vëzhgon nga ajri.
Me avancimin e teknologjisë janë krijuar kushtet për monitorimin e pyjeve nga ajri, përmes dronit. Këtë metodë do ta zbatojë edhe komuna e Gjilanit, madje e para në Kosovë do të monitorojë mbi 20.000 hektarë pyje në pronësi shtetërore dhe private.
Droni do të ndihmojë Sektorin e Pylltarisë në monitorimin, identifikimin dhe kapjen e prerësve ilegalë, sikurse edhe do të ndikojë në preventivën kundër zjarreve.
Droni i takon teknologjisë së avancuar dhe ka fushëveprim deri në 10 km në vijë ajrore.