Një qytet i demokracisë si Gjilani nuk duron e as nuk pranon tutelazhë të stilit autokratik: o siç them unë, o s’ka ndryshe! Andaj, pamfleti i Kryetarit të Gjilanit mbi “parimet” e qeverisjes në Gjilan na përkujton afishet e kohës së monizmit, por assesi nuk reflekton shpirtin demokratik e qeverisjen përfaqësuese që do duhej të kishte Kryetari i sapo zgjedhur.
Në thelb, pamfleti i “parimeve” nuk është asgjë më shumë se ofertë njëkahëshe për koalicion me këdo që i nënshtrohet pa diskutim e pa negociim parimit të subordimit pa kushte, e që në esencë është thelbi i autokracisë.
Nuk ka asgjë të keqe që në një marrëveshje koalicioni që i duhet z. Hyseni për të qeverisë Gjilanin, këto “parime” edhe të zënin vendin e tyre, por jo si pamflet e afishe paraprake, por vetëm si pjesë e bashkëkoordinuar e një marrëveshje politike në mes dy e më shumë palëve të përfaqësuara në Kuvendin Komunal. Fundja, si orientime, deklarimet e quajtura “parime” janë thuaja se të qëndrueshme vetvetiu tek secili subjekt e përfaqësues politik i sinqertë e llogaridhënës.
I vetmi qëllim të cilit i shërben ky “pamfleti i parimeve” është ai i krijimit të supremacisë morale të dikujt karshi dikujt tjetër. Pse, a beson dikush që ndonjë subjekt politik do të thoshte të kundërtën a? Se ata nuk e përqafojnë transparencën, ndërshmërinë, e sinqeritetin, etj.? Mosni! Kjo është përçmim i intelegjences mesatare, për të thenë më të paktën.
Kjo çasje është jashtëzakonisht e dëmshme për demokracinë e komunës sonë në përgjithësi e për qeverisjen e z. Hyseni në veçanti. Ndoshta ka parti e përfaqësues në Kuvendin Komunal të Gjilanit që do t’i nënshtrohen kësaj tutelazhe, por jo LDK e cila ka fituar 40% të ulëseve në Kuvend; asnjëherë!
E, tentimi për të qeverisur kështu, dihet çka sjellë: stagnim për komunën, regres për demokracinë, dëshprim për qytetarët!