Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur fajtor ish-deputetët Haxhi Shala dhe Ismajl Kurteshi, të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, në nëntor të 2015-ës, duke i dënuar me nga një vit burgim me kusht (secilin veç e veç).
Aktgjykimi ndaj Shalës dhe Kurteshit u shpall të premten nga gjykatësi Eroll Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas këtij vendimi, dënimin në fjalë, Kurteshi dhe Shala nuk do ta mbajnë nëse në afat prej dy vitesh nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.
Gjykata i obligoi ata edhe me shpenzimet e procedurës secilin veç e veç në shumë prej 50 euro dhe për kompenzimin e viktimave të krimit në shumën prej 30 euro.
E dëmtuara është udhëzuar në kontest civil.
Ndërsa, lidhur me veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrare” është arritur parashkrimi, andaj për këtë është refuzuar aktakuza për pikën 2 dhe 3, konform nenit 363, par.1, nenpar.1.3 të Kodit të Procedurës Penale.
Ndryshe, ky rast ka qenë duke u gjykuar në Departamentin e Krimeve të Rënda, por më pas lënda ka kaluar për gjykim në Departamentin e Përgjithshëm, tek gjykatësi Eroll Gashi.