Qeveria e Kosovës po parasheh ndërtimin e dy digave për akumulim të ujit, në mënyrë që ky të përdoret gjatë sezonave të thata.
Projekti i parë është ajo Firajë-Shtime, si pjesë e rrjetit të Ibër-Lepencit. Ndërsa tjetra pendë planifikohet në Kamenicë, për t’a siguruar ujin e pijes dhe atë për ujitje.
Nga këto dy projekte përfitojnë mbi dhjetë komuna, njofton Klan Kosova.
Baton Begolli nga Këshilli Ndërministror i Ujrave tregon se këto projekte pritet të fillojnë brenda tri vjetëve, ndërsa marrin edhe tri të tjera për t’u përfunduar. Teksa shpenzimet për to janë kryesisht grante, e pak edhe kredi.
Akumulimi i ujit për sezonat e thata ndihmon indirekt edhe kompanitë tjera rajonale të Ujësjellësit.
“Stabilizon furnizimin e ujit për qytetet e Lipjanit, Shtimes dhe një pjese të Fushë Kosovës”, thotë Sokol Xhafa, kryeshef i KRU “Prishtina”.
Në marrëveshjen me Bankën Botërore që parasheh digën e Kamenicës, përfshihet edhe krijimi i masterplanit të ri për ujrat, pasi që Kosova aktualisht funksionon me një të vjetër, që nga viti 1982.