Më 5 janar apo të mërkurën, është caktuar seanca e radhës për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal në Gjilan. Kjo pozitë pritet t’i takojë Partisë Demokratike të Kosovës, bazuar në dakordancën e arritur gjatë ditës së sotme mes këtij subjekti politik dhe Vetëvendosjes.
Kështu bëri të ditur ushtruesi i detyrës së kryetarit të degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, në një prononcim për Paparacin i cili deklaroi se sot kanë zhvilluar takimin e katërt me zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, që të arrijnë një marrëveshje koalicioni, teksa shtoi se ende nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim.
Rashiti tha se PDK ka kërkuar pesë drejtori dhe kryesuesin e Kuvendit apo nënkryetarin e Komunës, por që nuk po pajtohen për ndarjen e drejtorive me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Jemi në negociata. E kemi afruar shumë por ende nuk kemi ndonjë marrëveshje. Kërkesat tona ishin pasi jemi dakorduar në shumë pika. Jemi dakorduar për kryesuesin e Kuvendit. Ne si PDK e kemi zgjidhjen më të mirë të mundshme për kryesuesin e Kuvendit. Seanca do të mbahet pasnesër prej orës 10:00”.
“Ata janë në negociata me të gjitha partitë politike, duke përfshirë edhe LDK-në. Të shohim nëse mundemi me arrit ndonjë marrëveshje. Ne kemi kërkuar njërën pozitë, kryesuesin e Kuvendit apo nënkryetarin e Komunës dhe pesë drejtori. Ata na kanë ofruar kryesuesin dhe tri drejtori. Sot e kemi afruar, për kryesuesin e Kuvendit kemi pajtueshmëri, për punën e drejtorive nuk kemi pajtueshmëri. Ata nuk kanë lëvizë në ndonjë hapë që të finalizohet marrëveshja”, deklaroi ai.
Alban Hyseni i VV-së, në raundin e dytë të zgjedhjeve të mbajtura më 14 nëntor, mposhti kundërkandidatin e tij nga LDK-ja, Lutfi Hazirin.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve, Hyseni mori besimin e 21 mijë e 800 qytetarëve gjilanas apo 51,10% të votave.
Kurse kundërkandidati i tij, Haziri mori 20 mijë e 865 vota apo 48.90%.