Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka folur për krizën energjetike në të cilën po kalon Kosova, si dhe gjendjen emergjente që ka shpallur qeveria si pasojë e kësaj situate.
Ai ka diskutuar edhe rreth vendimit të qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në Kosovë, si pasojë e krizës energjetike.
“Por këto janë masa të arsyeshme në bazë të rrethanave dhe ne duhet t’ia besojmë ministres Rizvanolli detyrën që e ka marrë. Ajo është duke e kryer këtë punë me përgjegjësi të lartë dhe ne si qytetarë të Kosovës duhet “t’i shtrëngojmë rrypat” dhe duhet të ballafaqohemi me krizën që jemi”, ka thënë Basha në Klan Kosova.
Ndërsa, sa i përket vendimit që në Kosovë të ndalohet prodhimi i kriptovalutave, Basha tha se kriptovalutat janë një lloj bastore.
“Kriptovaluta është një lloj bastore, sepse ti i fut paratë por nuk ka garancion për fitore, e aq më tepër kur e dimë se kriptovalutat nuk janë të rregulluara në shumicën e vendeve të botës, prandaj nuk është fer ta konsiderojmë si pjesë të ekonomisë së Kosovës”, ka thënë Basha.
Më tej, Basha tha se është gabim që qytetarët të investojnë në kriptovaluta, pasi sipas tij, paparashikueshmeria është shumë e madhe.
“Unë nuk kam investuar dhe mendoj se është gabim për të investuar sepse paparashikueshmeria është shumë e madhe tek kriptovalutat”, është shprehur Basha.