Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka paralajmëruar se do të shfuqizojë të gjitha vendimit përmes të cilave vlerëson se janë bërë emërimi të jashtëligjshme në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në botë, raporton Gazeta Sinjali.
Kjo sipas saj, do të bëhet për të vendosur ligjshmëri në këtë fushë.
“Stuhia e pafund e ankesave do të vazhdojë edhe në javët në vijim. Të gjithë ata që janë dërguar në ambasadat dhe konsullatat tona jashtë vendit në kundërshtim me ligjin ose që nuk i kanë përmbushur pritjet elementare të një diplomati, do të kthehen gradualisht në Prishtinë. Pas gjithë atyre viteve pa ligjshmëri, ligjin do të zbatohet përfundimisht edhe në këtë fushë”, shkroi ndër të tjera ajo në Facebook.
Sipas saj, kushdo që nuk e kupton që shërbimi si diplomat “është privilegj i jashtëzakonshëm, nuk e meriton të shërbejë në misionet e tona diplomatike”.
Shefja e diplomacisë kosovare paralajmëroi se do të hapen konkurse të reja dhe se kriteret për diplomatë do të vendosen me profesionistë të mirëfilltë brenda dhe jashtë vendit.
“Në vijim do të shfuqizojmë një nga një të gjitha vendimet e jashtëligjshme, duke kthyer kështu më në fund ligjshmërinë dhe drejtësinë e munguar në këtë institucion. Do të hapim konkurse të reja, të bazuara në kritere transparente profesionale për ta pasuruar MPJD-në me diplomatë të kualifikuar mirë, në mënyrë që të krijojmë një ekip profesional solid dhe premtues për të ardhmen e diplomacisë sonë.”
“Në bashkëbisedim me profesionistë të mirëfilltë brenda dhe jashtë vendit, do të vazhdojmë të ridefinojmë kriteret profesionale për kualifikim dhe për emërim dhe nuk do të punësojmë persona që nuk plotësojnë standardet bazë të nevojshme për t’i shërbyer vendit tonë jashtë apo brenda. Dhënien e gradave do ta vendosim në binarë ligjorë duke shpërblyer punën dhe profesionalizmin, e jo përkatësinë partiake, klanore apo familjare”, shtoi tutje ajo.