GJILANI (themelimi i tij)
Është një nga shtatë qytetet më të mëdha të Kosovës, në dokumentet arkivore përmendet në vitin 1342 me emrin Moravë. Për herë të parë përmendet në një kartë mesjetare të viteve 1394-1402. Pastaj, në defterin kadastral turk në vitin 1455 përmendet fshati me emrin Gnjilani, i cili kishte vetëm 41 shtëpi dhe 4 të pamartuar.
Qyteti i Gjilanit, u themelua nga Gjinollët, që thuhet e shkruhet se ishin nga fshati Gjinaj i Lumës së Shqipërisë.
Ata në shekullin e XVIII more pushtetin në Kosovë duke përfshirë edhe Gjilanin, Bujanocin dhe Preshevën. Pikërisht Bahti beg Gjinolli, mendohet se themeloi Gjilanin e sotëm.
Pastaj, shumë tregtarë e zejtarë të Novobërdës lanë qytetin e vjetër dhe zbritën në qytetin e ri në Gjilan. Dhe nga viti 1780 shndërrohej në qytet (ka mendime edhe të tjera për vitin e themelimit).
Në vitin 1830 Gjilanin e përfshiu një zjarr dhe me të edhe një numër i madh i objekteve u zhdukën. Prej tyre duhet përmendur Saraji i Gjinollëve, Kulla e Sahatit, Hamami dhe me përhapjen e Murtajës të vitit 1836 ishte përshirë edhe Gjilani ku një numër i madh i banorëve të tij vdiqën. Pas kësaj filloi rindërtimi i Gjilanit.
Bejlerët dhe agallarët kishin sjellë shumë serbë, që të punonin në pronat e tyre. Pas luftës Ruso-Turke (1876-1878), ushtria serbe pushtoi tokat e Sanxhakut të Nishit të banuara me popullatë shqiptare, të cilën gjatë dimrit me dhunë e dëboi. Ushtria serbe vazhdoi marshimindhe më 23 janar 1878 e pushtoi edhe Gjilanin, pastaj u tërhoq. Kështu Gjilani është vendbanim edhe i muhaxherëve. Mirëpo një numër i tyre në vitin 1912 u shpërngulën në Turqi.
Burimi: Epitafet në Gjuhën Osmane, të autorëve prof. Agron Islami dhe prof. Selim Selimi, i cili së shpejti do të promovohet edhe në Komunën e Gjilanit.