Në sallën e teatrit të qytetit të Gjilanit, sonte është hapur festivali i dramës “Talia e Flakës”, i cili mbahet në kuadër të Manifestimit Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2022”, nën patronatin e Kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, i cili edhe bëri hapjen zyrtare.
Në fjalën e tij kryetari Hyseni, si nikoqir i manifestimit “Flaka e Janarit 2022”, vuri në pah rëndësinë e festivalit të dramës për artistët, sikurse edhe mbarë manifestimin në tërësi.
Ai u shpreh i nderuar dhe kënaqur që para komunitetit artistik dhe qytetarëve të Gjilanit e mbarë Kosovës shpall të hapur festivalin e dramës “Talia e flakës”, i cili do të zgjasë gjashtë ditë me radhë.
“Ka qenë një sfidë e veçantë organizimi për shkak se “Flaka e Janarit” ka rëndësi të posaçme për komunitetin e artistëve si dhe një histori të madhe mbrapa tij dhe organizmit në tërësi ngase e lidhim janarin me heronjtë, i lidhim heronjtë me artin dhe kulturën, ndërkaq artistët që performojnë në kuadër të manifestimit i nderojnë veprat si dhe përfaqësimin artistik e kulturor të heronjve që kanë vdekur për lirinë e vendit tonë.
Kryetari Hyseni po ashtu theksoi gatishmërinë e tij dhe bindjen e plotë në ruajtjen, kultivimin e avancimin e mëtejmë të trashëgimisë kulturore e shpirtërore kombëtare shqiptare duke e kultivuar dhe avancuar frymën e trashëgimisë përmes formave artistike.
“Unë besoj dhe jam i bindur që Gjilani do të ruaj këtë trashëgimi kulturore mbarëkombëtare që mbledhë gjithë shqiptarët kudo që janë, e në këtë formë ruan edhe frymën e organizimit të “Flakës së Janarit 2022”, ndërsa festivali i dramës “Talia e Flakës” është njëra prej shtyllave që zgjon më së shumti interesim dhe gëzon përkrahje të komunitetit”, tha kreu i komunës së Gjilanit.
Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku e ka vlerësuar të rëndësisë veçantë Manifestimin “Flaka e Janarit” si tërësi strukturore organizative në kalendarin e aktiviteteve të kulturës gjithmbarshme kosovare, e në këtë kontekst edhe festivalin e dramës “Talia e Flakës”, duke e cilësuar atë si njërën nga ngjarje nga më të rëndësishme për kulturën e gjithëmbarshme të Kosovës dhe asaj kombëtare.
“Promovimi dhe ngjarjet që promovojnë dramën shqipe janë tejet të rëndësishme për ta shtyrë para krijimtarinë tonë artistike, teatrore, letrare, muzikore e të tjera. Uroj që ky festival të kalojë në mënyrën më të mirë të mundshme, t’i shikojmë shfaqjet gjithë së bashku dhe të shihemi në fund e t’i urojmë bashkërisht fituesve të çmimeve”, tha më tej Ministri Çeku, duke e përgëzuar ekipin organizativ për punën e bërë në organizimin e festivalit dhe manifestimit në tërësi.
Aktori Avni Shkodra nga organizata “Varg e Vi” dhe Esron Zymberi, udhëhjeqës artistik i manifestimit, njëherësh drejtor i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, të cilët së bashku me Zyrën e kryetarit të Komunës kanë përsipër mbarëvajtjen dhe organizimin e kësaj shtylle të manifestimit, prezantuan një pjesë të jetëgjatësisë kronologjike të festivalit ndër vite e dekada, ndërsa potencuan se mision i tij është para së gjithash nxitja dhe inkurajimi i krijimtarisë letrare, gjegjësisht dramës si gjeni specifike, në funksion të misionit për t’u inskenuar në dërrasat e teatrit, më shumë sesa për t’u lexuar si zhanër i posaçëm letrar.
Me këtë rast u theksua se festivali si i tillë është unik dhe se ky edicion u kushtohet dy figurave emblematike të këtij teatri, të cilët ndërruan jetë mes dy edicioneve të fundit, organizatorit Raif Haziri dhe aktorit Muharrem Sylejmani.
Në hapje të festivalit u prezantua shfaqja nga Teatrit i Qytetit të Gjilanit “Viganët”, me tekst të dramaturgut Visar Krusha, i punuar dhe vënë në skenë nga regjisori Ilir Bokshi.
Fabula e shfaqjes paraqet ‘ciklin e kreshnikëve, Muji dhe Halili, që përbën pjesën më madhështore të folklorit burimor shqiptar, e po ashtu vlerën shpirtërore të trashëgimisë sonë të pasur burimore.
Në qendër të rrëfimit narrativ është figura e lartësuar e Mujit, nga legjenda, dhe kreshnikëve tjerë, si dhe besëtytnive fabulare mbi lidhjen e krijesave njerëzve me figurat mitologjike, që sillen përreth tij, duke shpërfaqur kështu një dimension të ri të këngëve kreshnike, fillet e të cilave si simbolikë teatrale i gjejmë thuajse identike edhe te tragjedia antike, ku përmes korit, heronjtë, jeta dhe bëmat e tyre reflektohen, ndërveprojnë dhe gjykohen duke përçuar njëkohësisht vlera universale e moderne të këtyre këngëve.
Në shfaqje kanë luajtur aktorët e trupës së Teatrit të Qytetit të Gjilanit, në koreografi nga Robert Nuha, muzikë të adaptuar nga Trimor Dhomi, skenografi nga Bekim Korça e kostume të realizuar me kujdes nga Vesa Kraja dhe asistente të regjisë, Natyra Kallaba.
Në edicionin e 31-të të festivalit të dramës “Talia e Flakës” gjatë ditëve në vijim do të prezantohen edhe pesë trupat tjera artistike pjesëmarrëse, gjithnjë duke respektuar masat mbrojtëse kundër pandemisë.
Festivali i Dramës “Talia e Flakës 2022’ zgjatë gjashtë ditë me radhë, nga 23 deri më 28 janar, kur bëhet ndarja e çmimeve.
Juria profesionale e manifestimit të sivjetmë përbëhet nga emra të shquar të artit skenik, Arian Krasniqi, dramaturg dhe Shkurte Aliu e Elmanze Nura, regjisore.