Festivali i Dramës Origjinale Shqipe – Talia e Flakës 2022, u hap sonte në Teatri i Qytetit – Gjilan, me shfaqjen premierë “Viganët” nga regjisori Ilir Bokshi dhe shumicën e aktorëve nga qyteti nikoqir.
Erson Zymberi – Drejtor i Teatrit, paraqiti shkurtimisht rëndësinë historike të festivalit dhe më pas, bashkë me Avni Shkodra – Drejtor i Varg e Vi-së, kanë njoftuar publikun e gjerë për shfaqjet që do të jenë në edicionin e Taliasë së Flakës 2022.
I pranishëm në hapje me një fjalë rasti ishte edhe Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku dhe më pas, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, hapi zyrtarisht festivalin.
Përveç shfaqjes nga Teatri i Gjilanit, nesër do të jetë shfaqja “Aroma e Hënës” nga Teatri Kombëtar i Kosovës, me regjisoren Rozi Kostanin. Më pas, do të vazhdohet me “5 ditë mbret” nga Teatri i Korçës, “Marksistët e leninistët e Zvicrës” me regjisoren Blerta Neziraj, “GOF” me regjisor Shkëlzen Berishën nga Teatri “Metropol” i Tiranës dhe në natën e fundit, “Stiffler” me regjisorin Kushtrim Koliqi, prodhim nga “Integra”.
Festivali teatror “Talia e Flakës” në kuadër të “Flakës së Janarit” vazhdon për shumë dekada, të jetë nxitje e kultivimit të dramaturgjisë kombëtare, zhvillimit teatror, komunikimit ndërshqiptar dhe gjallëri aktivitetesh kulturore për artdashësit, që mezi presin, të shikojnë shfaqjet për çdo natë, nga 23 janari e deri më 28 janar.
Në fund, juria në përbërje me Arian Krasniqi, Shkurtë Aliu dhe Elmaze Nura, do të vlerësojnë shfaqjet me disa çmime.