Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën (2 shkurt) se Kosova nuk frikësohet sa i përket zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
I pyetur nga gazetarët, kryeministri Albin Kurti, tha se megjithatë si qeveri janë “të kujdesshëm dhe mbrojnë interesat e vendit”.
“Ne kemi dhënë propozimet tona në takimet që kemi pasur në Bruksel dhe jemi konstruktiv për bisedimet e ardhshme në dialogun që zhvillohet i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, me ç’rast parimi i reciprocitetit është parim i shëndoshë i marrëdhënieve të mira fqinjësore”, tha Kurti gjatë vizitës në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.
Ai ka theksuar se nuk janë biseduar modelet rreth Asociacionit, duke shtuar se “të drejtat e pakicave në Kosovë janë të respektuara me nivelin më të lartë të standardeve evropiane”.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, thanë se nuk do të imponojnë modele për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Marrëveshja e arritur në vitin 2013 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë ishte një nga temat që diplomatët perëndimorë diskutuan me autoritetet kosovare, liderët e opozitës dhe shoqërinë civile, gjatë dy ditëve të fundit.
“Mos kini frikë nga diçka që nuk ekziston dhe askush nuk do t’ua imponojë. Jini të sigurt në vetvete, të vetëdijshëm për faktin se ju jeni bashkudhëheqës në këtë proces dhe jeni partnerë të barabartë”, ka deklaruar Lajçak.
Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik, apo ndonjë gjë që duket si Republika Sërpska në Bosnje e Hercegovinë.
Kurti të mërkurën ka ritheksuar nevojën për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë me “njohje reciproke”.
“Marrëveshja duhet të arrihet. Jemi të gatshëm që të punojmë për këtë dhe kur bisedojmë, të bisedojmë për marrëveshje. Nuk bëjmë dialog për dialog. Jemi konstruktivë, jemi seriozë dhe njëkohësisht e vëmë theksin tek ajo, për të cilën po pajtohen gjithnjë e më shumë të gjithë faktorët ndërkombëtarë, e që e ka thënë në mënyrë shumë të qartë [edhe] presidenti i SHBA-së, Joe Biden, që marrëveshja për normalizimin e plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke”, tha Kurti.