Kompanitë private, të cilat ofrojnë shërbime funerale, kanë anuluar protestën e paralajmëruar për të hënën para komunës së Prishtinës.
Sipas përfaqësuesit të këtyre kompanive, Blerim Nreci, kjo ndodhi për shkak se u dakorduan me kabinetin e kryetarit, Përparim Rama, që të diskutojnë edhe njëherë për këtë çështje.
Nreci ankohet se një vendim i kuvendit komunal të Prishtinës i vitit 2014, i cili i jep mundësinë Bashkësisë Islame të Kosovës të kryejë shërbimet funerale në kryeqytet, i ka dëmtuar kompanitë private financiarisht, andaj po kërkojnë që një vendim i tillë të anulohet.
Në Këshillin e Bashkësisë Islame thonë se do të vazhdojnë ta bëjnë të njëjtën gjë, ani pse ka ankesa nga pala tjetër, sepse sipas tyre, një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm BIK-u.
Në komunën e Prishtinës thonë se kanë rënë dakord që të takohen edhe njëherë me kompanitë private për të gjetur një zgjidhje.