Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Para mbledhjes së qeverisë, Kurti tha se 70.4 për qind e konsumatorëve shtëpiak nuk do t’i prek rritja e çmimit të energjisë elektrike ose do të jetë minimale.
Ai tha se vetëm gjatë dy muajve të fundit kanë importuar 40 për qind të energjisë elektrike dhe kjo formë, sipas tij është e papërballueshme për buxhetin e shtetit.
“Për konsum deri 800 kilovatë orë nuk do të ketë rritje. Në rastin e konsumit 850 kilovatë orë duke llogaritur një raport mesatar 60-40 të tarifës së lartë dhe ulët, dallimi ndërmjet faturës së vjetër dhe asaj të re do të jetë minimal. Nga 49.67 euro në 52.19 euro, pra një rritje prej 5 për qind, apo 2.5 euro në muaj. Në rast të konsumit 1000 kilovatë orë, duke llogaritur sërish një raport mestar 60-40 të tarifës së lartë dhe ulët, dallimi ndërmjet faturës së vjetër dhe asaj të re do të jetë rreth 17 për qind. Nga 58.10 euro në 68.18 euro, pra 10 euro më shumë në muaj për ata që konsumojnë 1000 megavatë në muaj. Ndërsa në rast të konsumit 1200 kilovatë orë në muaj, duke llogaritur përsëri një raport 60-40 të tarifës së lartë dhe ulët, dallimi ndërmjet faturës së vjetër dhe asaj që do të jetë pastaj do jetë pak më e lartë. Nga 69.35 euro në 89.51 euro, një rritje prej 29 për qind apo 20 euro. Sipas të dhënave tona bazuar në shpenzimet e vitit të kaluar, 70.4 për qind të konsumatorëve shtëpiakë gjatë dimrit shpenzojnë mesatarisht më pak se 800 kilovatë në muaj, kjo do të thotë se falë subvencionimit të qeverisë gjatë muajve të ftohtë mesatarisht 70.4 për qind e familjeve nuk do të preken nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike ose do të preken minimalisht. Kurse gjatë muajve të verës, 89.40 për qind e konsumatorëve shtëpiakë shpenzojnë mesatarisht më pak se 800 kilovatë në muaj. Kjo do të thotë se gjatë muajve të nxehtë mesatarisht 89.40 për qind e familjeve nuk do të preken nga rritja e energjisë elektrike. Ndërsa 100 për qind e familjeve do të përfitojnë nga subvencionimi i 800 kilovatorëshit të parë që ata shpenzojnë. Ndërsa, në anën tjetër për bizneset nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike në një kohë kur çmimet e shumë produkteve janë duke u rritur për shkak të inflacionit të importuar. Në këtë formë dëshirojmë të shmangim rritjen e ndonjë produkti dhe shërbimeve që ato ofrojnë”, tha ai.
Ai tha se çmimet e importit të energjisë elektrike nuk pritet të rikthehen në shifrat e mëparshme dhe vendi duhet të vazhdojë të importojë energji elektrike, andaj, siç tha ka një hendek që duhet mbuluar.
“Gjatë muajve të dimrit na është dashur të importojmë rreth 40 për qind të energjisë elektrike që kemi konsumuar dhe me çmime të importit rreth shtatë herë më shtrenjtë se zakonisht. Vetëm për një ditë në muajin janar kemi paguar 2.5 milionë euro për import të energjisë elektrike. Në dy muajt e fundit kemi subvencionuar konsumin nga importi. Kemi mundësuar që të kemi furnizim të pandërprerë të rrymës, kështu që kriza që na ka prekur si vend të mos ndjehet nga qytetarët[…]Një formë e tillë e subvencionimit është e papërballueshme dhe pa qëndrueshme për buxhetin e shtetit tonë. Gjatë këtyre muajve, çmimet e importit të energjisë elektrike nuk pritet të kthehen në shifrat e mëparshme. Sivjet duhet të vazhdojmë të importojmë energji elektrike, andaj kemi një hendek të kushtueshëm që duhet të mbulojmë”, shtoi Kurti.
Duke iu kundërpërgjigjur kritikave, kryeministri Kurti tha se ose duhet ndodhur mrekullia dhe të zhduket kriza ose të subvencionojë plotësisht qeveria importin. E para tha është e papërballueshme, ndërsa e dyta e pamundur.
“Kur kërkohet që mos të ketë rritje të energjisë elektrike në një kohë që po shpenzojmë më shumë se po prodhojmë dhe kur çmimet e importi janë më të larta se zakonisht, po kërkohet ose shtetit të subvencionoj plotësisht importin e energjisë, ose mrekullisht të zhduket kriza energjetike. E para është e papërballueshme e dyta është e pamundur. Nga fillimi i krizës deri tani kemi ndarë 120 milionë euro”, përfundoi ai.