Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se Qeveria në krye me Albin Kurtin e ka realizuar agjendën e saj për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Krasniqi ka thënë se Kurti e ka rënduar jetën e qytetarëve, besimin e së cilëve ka marrë duke u premtuar lirim të çmimit të energjisë.
Në foltoren e Kuvendit, Krasniqi ka thënë se PDK do të kundërshtojë vendimin për shtrenjtimin e energjisë përmes të gjitha formave demokratike.
Sipas Krasniqit, Kurti i ka mashtruar qytetarët.
“Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti dje e ka realizuar agjendën e saj të paralajmëruar me kohë për shtrenjtimin e energjisë elektrike për krejt qytetarët e Kosovës, duke ua vënë një barrë të rëndë, të padrejtë por edhe të papërballueshme për secilën familje në vendin tonë. E këtë agjendë që e realizoi përmes Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, një instrument që ligjërisht është i pavarur por paraprakisht është në shërbim të agjendës politike të Qeverisë Kurti, e kjo zyrë nuk ndërmori vendim të pavarur por vetëm e vulosi një vendim politik të propozuar në kurriz të qytetarëve nga mazhoranca e këtij Kuvendi që sot ikë edhe prej debatit”, ka thënë Kraniqi.
Kransiqi ka thënë se ZRrE me vendimin e publikuar ka dalë të jetë mbi Kuvendin dhe Kushtetutën e Kosovës meqë sipas tij, e njëjta i ka dalluar qytetarët me vendimin e saj.
Në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për vendimin e ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike, Krasniqi ka thënë se qeveria nuk i ka marrë parasysh debatet për këtë temë dhe as propozimet e PDK-së për zbutje të krizës energjetike.
“Albin Kurti po dëshiron me ia falë rreth 100 milionë euro, se kanë me dalë më shumë se 100 milionë euro, KEDS-it, mashtrimi që po tentojnë me e mbulu kinse po i subvencionojmë qytetarët është absolutisht i pavërtetë, ndarja e mbi 100 milionë eurove tashmë nga ana e Qeverisë është subvencion direkt për KEDS-in, për kompaninë private që e kanë sharë me vite dhe kanë thënë që duhet me ndërmarrë masa ndaj tyre dhe sot taksat e qytetarëve në vlerë mbi 100 milionë euro deri tash e kushedi sa deri në fund janë duke ua falë. Detyrojnë qytetarët me pagu rrymën dyfish më shtrenjtë sesa e kanë paguar deri sot. Nga dita e djeshme qytetari i Kosovës është mbështetur për muri”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka deklaruar se PDK do të kundërshtojë vendimin për ngritjen e energjisë përmes çdo mjeti ligjor.
“Siç e kemi kundërshtuar gjatë gjithë muajve të kaluar rritjen e çmimit të energjisë elektrike do ta kundërshtojmë me çdo mjet ligjor në çdo instancë ligjore këtu në Kuvend por edhe me të gjitha mjetet demokratike për të kërkuar dy gjëra themelore, shkarkimin e anëtarëve të bordit të ZRRE-së që si puna e Albin Kurtit e kanë marrë këtë vendim me rëndu jetën e qytetarëve dhe anulimin e vendimit skandaloz për rritjen e energjisë elektrike”, ka thënë ai.
Kuvendi i Kosovës, me kërkesë të tri partive opozitare është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme ku po zhvillohet debat parlamentar lidhur me vendimin e djeshëm të ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike.