Presidentja e vendit Vjosa Osmani nuk ka pranuar të flasë për deklaratat të cilat i ka dhënë bashkëshorti i saj Prindon Sadriu ndaj mediave në Kosovë, gjatë ditëve të fundit.
Teksa ishte në takim me familjarët e dy aktivistëve të vrarë të Vetëvendosjes, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, Osmani u tha gazetarëve, të cilët i parashtruan pyetje rreth kësaj çështjeje, se është jokorrekte të flitet për këtë temë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Presidentja Osmani tha se është ofendim në raport me familjarët që të bëhen gjëra të tilla.
“Jemi në takim ju kisha lut. Është tepër jo korrekte ndaj familjeve. Është tepër jo korrekte në raport me familjet. Komenti im është që jeni duke ofenduar familjet që janë këtu për momentin dhe keni hyrë brenda për të marrë pamje edhe pse nuk keni paralajmëruar që do të vini , ne sërish ju lejuam. Ne je lejuam që të merrni pamje kurse në intervista të tjera flasim. Është ofendim në raport me familjarët që të bëni gjëra të tilla. Me të vërtet është ofendim”, ka thënë Osmani.
Sadriu përmes një postimi në “Facebook” gazetarët i quajti “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”. Kjo pasi u publikuan shpenzimet e Osmanit për shpenzimet për udhëtime.
“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijera dollarë). Bileta avioni First Class e rrallë herë Business Class. Për Economy as që flitej. Ju nuk keni lënë gjë publike pa keqpërdorë”, ka shkruar Sadriu.