Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba tha dje se deklarata e pavarësisë së Kosovës u dha në mënyrë të përshpejtuar në vitin 2008 dhe se deklarimi nuk u bë nga njeriu i duhur.
Në një emision televiziv, deputeti i VV-së tha se deklarata e Pavarësisë nuk është lexuar nga njeriu më kompetent, duke aluduar kështu në kryeministrin e atëhershëm, Hashim Thaçi.
“Disa prej detaje janë shumë të rëndësishme. Akti, deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovë nuk është bërë nga njeriu më kompetent. Jemi vend parlamentar. Nuk është bërë nga as kryeparlamentari, as nga presidenti. E kam fjalë nga kush është lexuar nga kush është deklaruar”, ka thënë Zyba.
Zyrtari i VV-së foli edhe për protestat e vitit 2007, për të kundërshtuar Pakon e Ahtisarit.
Sipas tij, mobilizimet qytetare kanë ndikuar që zgjidhja e problemit të statusit të Kosovës të përshpejtohet.
Asokohe Zyba tha se VV-ja nuk ka qenë e strukturuar, por se ka vepruar karshi interesave të qytetarëve.
“Këto mobilizime gjithë qytetare kanë përshpejtuar zgjidhjen e problemit, por nuk është bërë më e mira e mundshme. E kanë përshpejtuar nënkupton më shumë se pak se një vjet ose rreth një vit më pas, u lexu deklarata e pavarësisë, por nuk ishte paraparë si e tillë. E kujtojmë secili se sa me procedurë të shpejtë u dha kjo deklaratë e Pavarësisë. Sepse, krijohej situatë e re që për të cilën gjithçka që erdhi në pako nuk ishte më opsion. Qytetaria aktive vendosi me kundërshtu çdo gjë. VV-ja nuk ka qenë e strukturuar dhe s’ka qenë përfaqësuese e zërit të popullit, por e interesave po”, tha deputeti i VV-së në ATV.
Ai foli edhe për një opsion që mund ta kishin bërë asokohe partitë në pushtet për të kundërshtuar zgjidhjen e statusit të Kosovës përmes Pakos së Ahtisarit.
Sipas Zybës kjo çështje ka mund të zgjidhet përmes referendumit.
“Meqenëse u la fati i gjithë Kosovës, i gjithë qytetarëve në një grup negociator, në dorën e tyre ishte fat i hidhur. Me rastin në fjalë për zgjidhje të statusit ka qenë vetëm një opsion. Që përfaqësuesit, pushtetarët në atë kohë do të duhej që t’i thoshin faktorit ndërkombëtar, kushdo që kishte kërkesë reale që zgjidhja është tek populli, në këtë rast parmes referendumit. Jo Pako-ja por zgjidhja e statusit”, tha ai.