Kryeministri Albin Kurti është takuar në Munich me Përfaqësuesin e Lartë ndërkombëtar të Bosnje dhe Hercegovinës – diplomatin gjerman Christian Schmidt.
Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren, njëherësh ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla folën me Schmidtin për situatën në Bosnjë, e cila vlerësohet se mund t’i ndikojë zhvillimet përreth, e sidomos ato mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kryeministri Kurti theksoi mbështetjen për unitetin e Bosnjë e Hercegovinës si element i rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe prosperitetin në rajonin tonë. Ndarja dhe copëzimi nuk duhet të fitojnë mbi unitetin, diversitetin, solidaritetin dhe demokracinë gjithëpërfshirëse, tha kryeministri Kurti”, thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit.
Sipas ZKM-së, domosdoshmëria e vëmendjes së të gjithëve në Bosnjë ishte temë e këtij takimi.
“Gjatë këtij takimi u bisedua për domosdoshmërinë e vëmendjes së plotë të të gjithëve për Bosnjë e Hercegovinën, dhe mbështetjes së parezervë të liderëve të Bashkimit Evropian, si edhe nevojën për rritje të bashkëpunimit rajonal ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor”, thotë ZKM.