Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë parashikimin e motit për pesë ditët e ardhshme.
Sipas institutit, java fillon me mot të mirë dhe me temperatura të ngjashme me ditët e fundit, por që priten edhe reshje shiu e bore gjatë javës.
“Në juglindje dhe lindje të vendit ka mundësi të ketë riga shiu. Nga dita e martë i gjithë vendi do të ndikohet nga masat e ajrit me presion të ulët atmosferik. Kjo situatë nuk do të zgjasë por do të krijohen kushte për reshje shiu dhe bore në viset e ulëta dhe mesatare, kurse në viset e larta parashihen reshje bore”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se temperaturat do të bien në mesditë deri në 5 gradë si dhe nga dita e mërkurë parashihen kushte tjera meteorologjike, sidomos në temperaturat e dy vlerave.
“Minimalet gjatë javës do të lëvizin ndërmjet -3 deri 3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 5-14 gradë Celsius”, parashikon instituti.
Sipas IHMK-së, në ditët në vijim do të fryjë erë nga drejtimi i jugut dhe verilindjes me shpejtësi 1-8 m/s. /Zëri