Kryetarja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se deputetët e kësaj partie, do ta diskutojnë nenin e Projekt-Kodit civil, përkatësisht librin 4 të familjes, lidhur me martesat mes gjinisë së njëjtë në Kosovë.
Ajo u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që ta mbështesin këtë referencë, përfshirë edhe ‘konservativët’ siç tha ajo.
“Projekt-Kodi Civil është hera e parë që prezantohet në Kuvendin e Kosovës, përmban 1630 nene dhe pesë libra, është baza e të drejtës civile për secilin shtet në këtë rast edhe Kosovës. Ajo të cilës ju i referoheni, përbëhet në librin e katërt që është familja. Debate publik po vërehet që i gjithë debate po shkon në çështjen e librit të katërt e po humb fokusi te librat e tjera”, tha ajo.
“Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes do ta ketë në diskutim, natyrisht secili grup ka zëra të ndryshëm përbrenda për një referencë dhe ajo ka të bëj me rregullimin e martesës së gjinisë së njëjtë me ligj tjetër të veçantë, që nuk duhet t’i ndalojë edhe ata që kanë pikëpamje konservative të votojnë këtë projekt-kod, për arsye të peshës e rëndësisë dhe gjitha të tjerat. Kjo tregon se në shoqërinë tonë do të vazhdohet ky debat, është debat përmbajtësor dhe tepër i rëndësishëm në raport me të drejtat bazike elementare njerëzore por edhe për diskursin që shoqëria jonë si shoqëri evropiane e synon. Besojmë që ky projekt-kod është tepër i rëndësishëm dhe duhet të mbështetet nga të gjitha deputetët pa dallim”, tha Kusari.