Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Nikolai Patrushev, këtë javë do ta vizitojë Beogradin.
Ai shkon në Serbi në kulmin e tensioneve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Por kush është Patrushev? Njeriu i Putinit, presidentit rus, kishte rol të madh në përpjekjen për puç në Mal të Zi më 2016.
Pas arrestimit të disa serbëve, të cilët kishin lidhje edhe në veri të Kosovës, dhe pasi drejtësia malazeze përmendi me emra edhe agjentë rusë të involvuar në tentimin për puç, Nikolai Patrushev fluturoi atëbotë në Beograd dhe i ofroi Serbisë një marrëveshje bashkëpunimi e mirëkuptimi mes Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë dhe ministrisë së Brendshme serbe.
Kjo ishte fasada zyrtare. Arsyeja e vërtetë ishte tërheqja e agjentëve rusë të zbuluar në aktivitete spiunazhi. Vetë presidenti serb Vuçiq atëbotë kishte folur për “elemente të jashtme” të përzier në shkaktimin e tensioneve në Mal të Zi.
Involvimi i thellë i Rusisë në Mal të Zi për një moment e kishte frikësuar edhe Vuçiqin se mund të pësojë nëse ndërron kursin e politikës. Por që nga atëherë kanë kaluar mbi 5 vite dhe Vuçiq ka arritur të mbajë kursin e politikës së ambivalencës përfituese: mirë me Perëndimin dhe mirë me Rusinë dhe Kinën.
Synimi i vizitës së Patrushevit, me gjasë, është presioni ndaj Beogradit për ta hapur një front të ri destabilizimi në rajon, mbi të gjitha për ta përkrahur nismën e Dodikut për zhbërjen e Bosnjës, por edhe mundësia për ndonjë përshkallëzim të mundshëm në veri të Kosovës. Vuçiq e ka mbështetur agjendën ruse në shumë sfera, por në përpjekje për të balancuar dhe për t’i mbajtur raportet me perëndimin, dhe i vetëdijshëm për pasojat, deri tani është treguar skeptik dhe frenues ndaj Dodikut.
Si kreu i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Nikolai Patrushev luan rolin jozyrtar të këshilltarit për siguri kombëtare të Putinit.
Një oficer me karrierë i inteligjencës, ai e njeh Putinin që nga vitet 1970, kur të dy punonin së bashku në zyrën e KGB-së së Leningradit, tash Shën Petersburgu. Më vonë ai pasoi Putinin si kreu i FSB-së dhe tashmë që nga viti 2008 është në krye të Këshillit të Sigurisë.
Intervistat e tij e kanë zbuluar atë si një teoricien konspirativ që beson se, fuqitë perëndimore po kërkojnë të shkatërrojnë Rusinë.
“Shtetet e Bashkuara do të donin që Rusia të mos ekzistonte fare si vend”, kishte thënë ai në vitin 2015.
Retorika e tij për Ukrainën, të cilën ai e quan si një “protektorat” i perëndimit, i ngjan asaj të Putinit.
“Në çdo moment, ka potencial që në Ukrainë të ketë tensione të mëdha sa që miliona ukrainas do të ikin për të kërkuar strehim në vende të tjera”, është shprehur ai në një intervistë të fundit për të parashikuar një konflikt të mundshëm.
Patrushev gjithashtu është akuzuar për miratimin e një sërë atentateve dhe operacioneve të paligjshme.
Një hetim i bërë nga Britania e Madhe në vitin 2016, zbuloi se “operacioni i FSB-së për të vrarë Litvinenkon mund të jetë miratuar nga Patrushev”. Burime diplomatike për The Guardian kanë thënë se operativët rusë, që me anë të një puçi, u përpoqën për të rrëzuar Qeverinë e Malit të Zi në vitin 2016, u lejuan të largoheshin nga vendi me aeroplanin e Patrushevit.
Në anën tjetër, rreth Ukrainës po zhvillohet një luftë e madhe propagandistike nga pala ruse. Kësaj propagande po i japin zjarr të madh edhe mediat serbe, duke publikuar lajme gjysmë të vërteta ose krejtësisht të rreme. /Ballkani.info/