Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar të hënën dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska.
Putini ka urdhëruar Ministrinë ruse të Mbrojtjes të dërgojë paqeruajtësit rusë në rajonet lindore të Ukrainës, sipas një dekreti të publikuar të hënën, pasi Moska ka njohur pavarësinë e tyre.
Putini ka nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore si Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura, duke sfiduar paralajmërimet e Perëndimit se hapa të tillë do të jenë ilegalë dhe do të shkatërrojnë negociatat për paqe.
Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër vendimin e Putinit.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se mbesin plotësisht mbështetëse të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj ndërkombëtarë.
Putini e ka nisur fjalimin e tij para kombit duke diskutuar për historinë dhe duke thënë se Ukraina moderne është “krijuar” nga Rusia.
Ndërkohë që Putini ka pasur adresimin, agjencitë ndërkombëtare të lajmeve kanë cituar trupat qeveritare të Ukrainës të kenë thënë se në vijën e parë të frontit në lindje të Ukrainës, janë rritur të shtënat me armë të rënda nga separatistët.
Putin ka bërë supozime gjatë fjalimit – pa ofruar të dhëna – se Ukraina po synon të ketë armë bërthamore, se gjuha ruse është margjinalizuar në Ukrainë dhe se ka plane të paspecifikuara për të eliminuar Kishën Ortodokse Ruse atje.
Ai ka thënë se Ukraina është “kukull e regjimit” të udhëhequr nga fuqitë e huaja dhe e mbushur me klane të oligarkëve.
Presidenti rus po ashtu ka thënë se NATO-ja ka “injoruar plotësisht” kërkesat e Moskës për siguri, në të cilat është përfshirë edhe ajo që Ukraina të mos bëhet pjesë e aleancës dhe për heqjen e armëve të NATO-s dhe pajisjeve tjera nga shtetet e Evropës Qendrore dhe asaj Lindore.
Putini ka nënshkruar dokumentet dhe i ka kërkuar Parlamentit rus që të ratifikojë vendimin sa më shpejt që është e mundur.
Ai e ka përfunduar fjalimin e tij duke thënë se “jam i sigurt se do të kem mbështetjen e popullit rus”. /REL