Ndërsa Rusia zhvendos trupat në rajonin e Donbasit në Ukrainë, ekspertët paralajmërojnë se perspektiva e shpërthimit të një lufte në Evropë, e kombinuar me sanksione të rënda ekonomike ndaj Rusisë, ka të ngjarë të shkaktojë paqëndrueshmëri në tregun e energjisë, që mund të përkthehet ndoshta në kosto shumë më të larta për benzinën dhe gazin natyror.
Duke qenë se Rusia është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të naftës dhe gazit natyror, ndërprerjet në prodhimin e saj, qoftë si pasojë e paqëllimshme e veprimeve ushtarake ose si përgjigje ndaj sanksioneve ndërkombëtare, mund të kenë një efekt të thellë në çmimet e energjisë.
Çmimet globale të naftës janë jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj ndërprerjeve të furnizimit, thotë Ed Hirs, hulumtues i çështjeve të energjisë në Universitetin e Hjustonit.
“Rusia eksporton rreth katër milionë e gjysmë fuçi nafte në ditë, në një treg global me afërsisht 100 milionë fuçi në ditë”, tha zoti Hirs për Zërin e Amerikës.
“Nëse një milion fuçi lihen mënjanë, qoftë për përpjekjet e luftës ose për shkak se sanksionet ndërpresim furnizimin, apo nëse ndodh një katastrofë në fushat e naftës ruse ndërsa lufta përparon … ne do të presim që çmimet e naftës të rriten me 20 deri në 25 për qind. Kjo do të thotë se çmimi me pakicë i benzinës do të rritet me 50 deri në 75 cent për gallon (16-25 cent për litër)”.