Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) ka njoftuar se nga sot 1 mars ka filluar shitja online e policave të sigurimit kufitar.
Drejtori i BKS-së Sami Mazreku ka thënë se shitja online është një lehtësi e madhe për bashkatdhetarët, pasi që ata sidomos gjatë kohës së verës kur kolonat në kufi janë të gjata nuk kanë nevojë të presin fare për policë sigurimi, pasi që ata mund të paguajë ende pa u nisur.
Sipas drejtorit Mazreku qytetaret gjatë blerjes online të policës kufitare duhet të jenë të kujdesshëm me rastin e përzgjedhjes së kategorisë mjeteve të përcaktuara sipas destinimit.
“Në qoftë se kontraktuesi i sigurimit ka bërë me dashje, apo pa kujdesia lajmërimin e pasaktë ose e ka lënë në heshtje ndonjë rrethanë të një karakteri të tillë, sa që siguruesi nuk do të lidhte kontratën po të kishte ditur për gjendjen e vërtetë, kontrata e sigurimit do të jetë e pavlefshme”, ka thënë Mazreku.
Ai më tutje ka bërë të ditur se një policë kufitare të jetë e vlefshme, ajo duhet të figurojë në regjistrin online në faqen zyrtare të Byrosë Kosovare të Sigurimit sipas të dhënave përmbajtësore të cilat duhet plotësuar me rastin e kontraktimit të policës.