Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot në një intervistë për SkyNews duke iu referuar situatës në Ukrainë tha se qytetarët e Kosovës janë të brengosur nga një president despot i cili mund të shndërroj Ballkanin një fushëbetejë kundrejt demokracive perëndimore.
Kurti megjithatë tha se Kosova është vigjilente dhe nuk frikësohet, por Kosova sa më parë që i bashkohet NATO-s është e dobishme edhe për rajonin e Evropën.
Ai u ka bërë thirrje edhe pesë vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.
“Lukoil, Sberbank dhe shumë kompani ruse mbulojnë Serbinë me degët e tyre dhe kjo është pse qytetarët e Kosovë janë të brengosur nga një president despot i cili mund të shndërroj Ballkanin një fushëbetejë kundrejt demokracive perëndimore. Ne jemi vigjilent dhe nuk frikësohemi. Ne dëshirojmë që t’i bashkohemi BE-se dhe NATO-s, ne aktualisht kemi NATO-n në Kosovë por anëtarësimi sa më i hershëm i Kosovës do të ishe shumë i dobishëm për qytetarët, vendet e Ballkanit dhe në veçanti vet kontinentin evropian”, tha ai, raporton Telegrafi.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës tha se Serbia ka 40 MIG-29 të dhuruara nga Rusia dhe Bjellorusia dhe mbi gjysma e Parlamentit të Serbisë është pjesë e grupacionit të miqësisë serbo-ruse.
“Për shembull, Serbia ka 40 MIG-29 të dhuruara nga Rusia dhe Bjellorusia. Mbi gjysma e Parlamentit të Serbisë është pjesë e grupacionit të miqësisë serbo-ruse dhe gjithashtu Gazpromi rus zotëron 56 për qind të industrisë së naftës në Serbi dhe 51 për qind të rezervave të naftës në Banatski Dvor në Vojvodinë, e cila është ndër më të mëdhatë në Evropën Juglindore”, tha ai.