Gjilani ka shënuar një tjetër fitore të madhe në kuadër të javës së 22-të në elitën e futbollit kosovar, duke e mposhtur Ulpianën.
“Kuqebardhët” triumfuan pastër 2:0 ndaj lipjanasve, të cilëve iu “hakmorën” për disfatën e shkaktuar në stinorin vjeshtor, meç’rast humbjen e vetme të tyre këtë edicion.
Kryetrajneri i Gjilanit, Ismet Munishi tha pas ndeshjes se skuadra e tij bëhet kampion, vetëm nëse bën këso paraqitje si kjo ndaj Ulpianës.
Munishi kishte disa fjalë edhe për ndeshjen e radhës ndaj Dritës.
“Në pjesën e dytë nuk ishim skuadër e barabartë, pasi ne patëm gjithçka në dorën tonë. Krijuam raste të shumta për gol, rritëm presionin, shpejtësinë, ritmin dhe me meritë arritëm ta fitojmë ndeshjen. Më vjen mirë që shënoi Shend Kelmendi dhe ishte ndër lojtarët më të mirë të ndeshjes. Edhe për Edision Kqikun më erdhi mirë për paraqitjen, pasi ende nuk ke kemi parë Edisonin e vërtetë. Për tjerët mos të flas që janë dëshmuar në çdo ndeshje. Të gjithë kanë treguar lojë të shkëlqyer. Edhe Arion Ymeri ishte i sigurt”, ka thënë Munishi për Art Sport.
“Ekipi tregoi siguri dhe krijoi aksione të rrjedhshme. Kishim siguri në qarkullimin e topit dhe kjo na bën një skuadër kampione. Isha i kënaqur me lojën, pavarësisht rezultatit. Duhet të jemi pak më konkret në realizimin e golave. Pres mbështetje edhe më të madhe nga ‘Skifterat’ të cilët i falënderoj që na rrinë afër gjithnjë. Shpresoj ta mbyllim me fitore edhe derbin dhe ndeshjet e tjera”, shtoi tutje tekniku i gjilanasve.Gazeta Enigma