Ismet TAFILI
(Dedikim për nder të Ditës së mësuesit)
Për dëshmorët, sa herë që na duket se kemi bërë diçka, asnjëherë nuk është e mjaftueshme, sepse ata dhanë jetën për lirinë të cilën ne sot po e gëzojmë.
Tefik Zymberi u lind në Verbicë të Zhegocit, më 21 dhjetor 1960. Babai i tij ishte minator.
Që në bankat shkollore (1967), dallohet për zgjuarsi, sepse ende pa hyrë në shkollë i kishte mësuar të gjitha shkronjat. Disa herë është shpërblyer si nxënësi më i dalluar në shkollë.
Vazhdoi shkollimin në gjimnazin e Gjilanit, drejtimi gjuhësor. Për shkak të kushteve të vështira, në pamundësi që të paguante qira, banonte te motra e tij, Zyria në Bresalc, prej ku shpesh udhëtonte në këmbë për Gjilan.
Përkundër kushteve të vështira, ai ishte i dalluar në mësime.
Edhe pse familja e tij varej vetëm prej një pensioni të vogël minatori, ai regjistrohet në Fakultetin Filozofik, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe (1979).
Edhe pse e kishte kryer fakultetin, shumë vite nuk punoi në profesionin e tij.
Vetëm në vitin 1990 iu mundësua të kap ditarin në fshatin e tij, në Verbicë të Zhegocit, ndërsa në vitin 1995 do të fillojë të punojë në Pasjak, në shkollën fillore “Vatra e Diturisë”.
Ishte kryeredaktor i gazetës “Vatra”e cila u botua shumë shkurt në Gjilan dhe anëtar i redaksisë së gazetës “Bashkimi”.
Në vitin 1993 martohet me Hanumshahe Abdullahun.
Hanumshahe Abdullahu-Zymberi u lind më 12 tetor 1962 në Gjilan, ku edhe kreu shkollën fillore dhe të mesme.
Ishte nxënëse e shkëlqyeshme në të gjitha lëndët, pedante dhe e vendosur.
Më 1981 regjistrohet në Fakultetin Filozofik, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe.
Hanumshahe Abdullahu si nxënëse dhe studente e dalluar merrte pjesë në të gjitha garat, veçmas në recitime dhe dramë që mbaheshin në Kosovë e jashtë saj.
Mori pjesë në pajtimin e gjaqeve, organizoi shoqata të grave ku mblidhte ndihma për popullin, për luftën etj.
Ishte bashkëpunëtore e gazetës “Bashkimi” e cila botohej në Gjilan.
Punoi si mësimdhënëse në shkollën fillore ”Vatra e Diturisë” në Pasjak dhe më pas u zgjodh drejtoreshë në shkollën “Rexhep Elmazi” në Gjilan.
Ishte shembull si duhet të punohet dhe të udhëhiqet një kolektiv.
Tefiku e Hanumshahja duke qenë veprimtarë e atdhetarë të brumosur që nga gjiri familjar, e dinin mirë se njëra nga armët për arritjen e lirisë ishte shkollimi, prandaj në rend të parë i kishin dhënë obligim vetes, që me çdo kusht të shkolloheshin, sepse armikut tonë shekullor gjithmonë i kishte penguar arsimimi i shqiptarëve.
Por, ata ishin të vetëdijshëm gjithashtu se krahas kësaj, duhet të përgatiteshim që një ditë të kapim edhe armët.
Pranvera e vitit 1981 i gjeti studentë të Fakultetit Filologjik, ku pa hezitim, ndër të parët iu bashkëngjitën demonstratave të studentëve.
Edhe pas vitit 1981 mbanin kontakte të vazhdueshme me shokë dhe punonin që të arrihet liria e Kosovës.
Tefiku e Hanumshahja ishin të përfshirë edhe në celulat ilegale. Me përkushtim të madh bënin propagandë kundër pushtuesit serb, zgjeronin radhët, lexonin vetë e shpërndanin literaturë, gazeta ilegale e shkruanin parulla.
Sikur këto nuk mjaftonin, prandaj së bashku me shokët e celulës, Tefiku, në vitet 1992/93 nxjerr gazetën “Vatra”, kryeredaktor i së cilës ishte.
Më vonë, kur filloi të dalë gazeta “Bashkimi”, Tefiku ishte njëri ndër anëtarët e redaksisë së kësaj gazete, ndërsa Hanumshahja ishte bashkëpunëtore.
Tefiku dhe Hanumshahja duke e njohur njëri-tjetrin, si veprimtarë dhe atdhetarë të devotshëm, vendosën të jenë edhe bashkëshortë dhe, më 1993 martohen për të vazhduar veprimtarinë atdhetare dhe organizimin në lëvizjen ilegale edhe më me ngulm.
Ata i bashkoi diçka më shumë se martesa, i bashkoi atdheu, idealet e njëjta, lufta për çlirim dhe liria.
Tefiku dhe Hanumshahja ishin të kyçur edhe në shoqatat humanitare të kohës, të cilët me mish e me shpirt u munduan të jap kontributin e tyre në dobi të popullit të vuajtur dhe të pushtuar.
Vizitonin familjet që kishin nevojë t’u ndihmohet dhe u qante zemra u shpirti kur i shihnin njerëzit që i kishte kapluar skamja e mjerimi.
Shpesh në mungesë të mjeteve dhe ndihmave tjera që nuk kishte shoqata, ata u jepnin parat e veta, ato që i kishin.
Në jetë, në ilegale, në luftë, aty ku ishte rrezik, ata ishin të parët.
Bashkëshortët Tefiku dhe Hanumshahja, që prej daljes së UÇK-së, e posaçërisht formimit të Zonës Operative të Karadakut, u bënë pjesë e saj. Hanumashaja zgjidhet përgjegjëse e sektorit për Informim.
Shtëpia e tyre u bë bazë e fortë dhe e sigurtë e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mësuesit Tefiku e Nushja nuk u ndalën asnjëherë së luftuari për lirinë e atdheut, derisa ranë dëshmorë, më 15 prill 1999, te Hanet e Zhegocit.
Ata lanë mbrapa një Diellë dhe një Atdhe, që sot janë krenarë me heroizmin e prindërve të tyre.