Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar për rritjen enorme të çmimeve.
Abdixhiku ka thënë se çmimi i vajit në Kosovë rritet në rekord botëror, sepse sipas tij fiksimet e mashtruesve s’ka kush t’i kontrollojë.
“S’ka kush t’i kontrollojë, sepse në njërën anë inspektorët e shtetit nuk janë askund e në anën tjetër Autoriteti i Konkurrencës është i paralizuar e pa funksion”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai më tej ka thënë e sot janë bërë 10 muaj që qeveria ka lënë këtë institucion pa bord rrjedhimisht pa njerëz që nisin hetime apo marrin vendime në kohë krizash si sot.
Abdixhiku këtë e cilëson si çmim të paaftësisë e neglizhencës si dhe çmim të braktisjes së detyrave bazike shtetërore.
Ai ka thënë se Kosova është në krizë, por në këtë krizë nuk kemi qeveri.
Ai ka përmendur edhe rekomandimet që LDK-ja i ka bërë Qeverisë.
“- Më 3 shkurt, si LDK kemi paralajmëruar Qeverinë për marrjen e masave në sigurim të grurit para shperthimit të agresionit rus në Ukrainë. Asnjë reagim.
– Më 16 shkurt i kemi kërkuar Qeverisë të ofrojë një paketë masash fiskale që targetojnë inflacionin e lartë – më të lartin historik – në Kosovë. Asnjë reagim.
– Më 21 shkurt i kemi kërkuar Qeverisë të funksionalizojë sa më parë Autoritetin e Konkurrencës si preventivë për manipulimet e mundshme të çmimeve; me të njëjtat që po ballafaqohemi sot. Asnjë reagim.
– Këtë javë, kemi dhënë rekomandime konkrete mbi masat që duhet marrë për zbutjen e përballueshmërisë; me theks të veçantë në reduktimet e TVSH-së e akcizës mbi derivate fillimisht e më pas dhe në produktet bazike”, thuhet në reagim.
Mirëpo Abdixhiku ka thënë se këto rekomandime të gjithë i kanë mbështetur, por Qeveria nuk ka bërë asnjë reagim.
“Mosreagueshmëria është pjesëmarrje në krizë. Qeveria, si ankuese e vështruese e krizës, po kontribuon në krizë!”, ka përfunduar ai. /Zëri