Agresioni rus ndaj Ukrainës ka ndikuar në shumë tregje ndërkombëtare për shkak të disa produkteve bazike që prodhohen në Ukrainë, por edhe të lëndës së parë që importohet nga ky shtet. Në Kosovë lufta në Ukrainë ka pasur ndikim të madh tek çmimet e derivateve të naftës, vajit, miellit, transportit të udhëtarëve etj.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se vala e re e rritjes së çmimeve ka prekur të gjitha vendet përfshirë edhe Kosovën.
Për rritjen e çmimeve të vajit i cili dje ishte shitur me 3.50 euro, kreu i OEK-ut, vlerësoi nuk është realiste. “Dje gjatë ditës kam kërkuar që të shikohet se në çfarë çmime është importuar vaji nga vendet e tjera, pra dje rritja e çmimit të vajit ka qenë lëvizje tipike spekulative dhe me një element për të ia futur frikën qytetarëve e për të mbetur pa atë produkt. Ishte mirë që pati reagim qytetar dhe se institucionet u zgjuan nga gjumi dhe reaguan menjëherë”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Sipas tij rritja e çmimit të naftës ndikon tek mbi 130 produkte të ndryshme. Rukiqi tha se shembull i krijimit të panikut ka qenë edhe rasti me fillimit të pandemisë në Kosovë para dy viteve. “Zbrazja e rafteve është një lloj stimulimi, pra raftet nuk guxojnë të mbesin të zbrazura, edhe ekonomistët më të mirë të botës rekomandojnë të mos mbesin raftet e zbrazura dhe të krijohet panik”, tha ai.
Kosova nuk ka mekanizëm për të mbarë vajtur ndonjë situatë siç ka qenë pandemia, apo edhe lufta. “Duhet të gjejmë ekonomik të gjitha së bashku,pra qeveria dhe akterët e tjerë për të shikuar mundësitë për të bashkëpunuar edhe me komunitetin e biznesit”, deklaroi Rukiqi.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se kriza që është në treg duhet menaxhuar mirë dhe me një informacion të qartë nga institucionet përgjegjëse.
“Ne nuk do të mbrojmë apo përfaqësojmë ndonjë kompani që nuk ka etikë minimale të tregut, ne jemi duke pritur informacion nga Ministria e Tregtisë dhe të presim epilog, por vet fakti i reagimit tonë tregon përkushtimit ndaj atyre kompanive që prishin tregun”, deklaroi ai.
Rukiqi për problemin e furnizimit me miell, tha se nuk do të ketë asnjë lloj mungese të miellit. “Për gjashtë muajt e ardhshëm nuk do të ketë asnjë mungesë të miellit, epilogu i luftës në Ukrainë e përcakton se si do të jetë tregu”, tha ai.
Ndryshe për shkak të zhvillime të lëvizjes së çmimeve në Kosovë, qeveria e Kosovës ka marrë
disa masa urgjente, siç është edhe subvencionimi i derivateve të naftës për fermerët e Kosovës.
Po ashtu për të monitoruar më mirë çmimet në Kosovë, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka paralajmëruar se Qeveria ka synim të rrisë numrin e inspektorëve të tregut, sepse ka mungesë të tyre në shumë sektorë.
Rritja e çmimeve ka prekur edhe tek transporti i udhëtarëve, duke ndikuar edhe tek ngritja e çmimit të biletave. Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj e arsyeton me shtrenjtimin e derivateve. “Krahas ndihmës që Qeveria po pretendon të jep në sektorin e bujqësisë, mendoj që edhe duhet të jetë edhe për operatoret të transportit rrugor, të cilën e bartin qytetaret”, theksoi ai për RTK. Kurtishaj ka kërkuar të hiqet akciza për operatorët që i bartin qytetarët me autobus. Por, sipas shoqatës, nuk ka vendim unanim nga shoqata për ngritje të çmimit të biletës së trafikut ndër urban./rtk/