Nga Kim Mehmeti
Shqipëria është vend i bukur dhe me pasuri të mjaftueshme që t’i ushqejë shqiptarët e vet. Madje ajo u dëshmua si shtet shumë i fuqishëm, ngaqë i duroi mbi shpinë hajdutët e tridhjetë viteve të fundit, siç duroi edhe lotët dhe dhembjen e prindërve që rritnin fëmijët që nuk ua donte atdheu, fëmijët që ata duhej t’i ‘eksportonin’ në Perëndim.
Shqipëria gjithmonë i ka pasur të gjitha, por ajo që asaj i ka munguar viteve të fundit, është zëri dhe revolta e pronarëve të saj – e popullit. Të pronarëve që tri dekada me radhë atë e lanë në duart e hajdutëve dhe politikanëve të pafytyrë e të papërgjegjshëm, në duart e pushtetarëve të pandëshkueshëm, të cilët sa më shumë pasuroheshin, aq më të paprekshëm bëheshin .
Por ata që e morën në qaf mëmëdheun dhe popullin e atjeshëm shqiptar, nuk janë vetëm ‘Piktorët’ e ‘Rilindësit’ që u pasuruan nga politika si të ishin pronarë të puseve të naftës, por përgjegjës për mallkimin që sot e jeton Shqipëria jemi edhe ne prindërit e kësaj rinie, edhe ne që i mbronim hajdutët e partisë sonë, ne që harruam se nëse mbron parti e harron shtet, t’i shkelë mbi flamurin Kuq e Zi dhe i lartëson leckat e pavlera partiake.
Po pra, Shqipëria i ka thuajse to gjitha që duhet t’i ketë një vend për ta ushqyer dhe mirëmbajtur popullin e vet. Por atë që ajo nuk kishte derë më tani, ishin elitat e pa korruptuar, si dhe guximi i pronarëve të saj – popullit – që të përballeshin me plaçkitësit e vendit dhe të kërkonin llogari nga ata që ia zhvatën pronën.
Por, protestat e fundit në Shqipëri tregojnë se ka arritur gjenerata e re e pronarëve të mëmëdheut, pronarët e duhur të saj, të cilët mbase e kanë kuptuar se nga të gjitha betejat, më e vështirë është ajo mes pronarëve të cilëve u është vjedhë pronën dhe politikanëve hajdut që ua kanë vjedhë atë. E të cilët hajdut e dinë se herdo-kurdo, vjen dita kur sado i pasur të jesh, nuk mund ta blesh ndershmërinë. Dhe të cilët hajdut asgjë nuk i frikon aq shumë sa vendosmëria dhe ndershmëria e atyre që protestojnë kundër tyre.
Dhe kur bëhet fjalë për protestat e ditëve të fundit në Shqipërinë duhet thënë: nëse edhe ato dështojnë, nëse edhe ato nuk e pastrojnë vendin nga plehu politik i tri dekadave të fundit, pra nëse ‘Rilindja’ që u tall me vendin dhe popullin i mbijeton edhe këto protesta, atëherë Shqipëria duhet të bëhet gati ta jetojë diktaturën e vet dhe të vazhdojë të ecë udhës që të bëhet si e gjithë Evropa, por duke shkuar drejtë ‘Ballkanit të Hapur’ dhe ‘Botës serbe’.
Pra nëse edhe këto protesta do mjaftohen me batutat e Piktorit, nëse edhe ato nuk do arrijnë ta fitojnë betejën kundër zhvatësve të vendit e të popullit, kundër atyre që mëmëdheut ia morën të gjitha e shqiptarëve ua dhanë varfërinë, atëherë pushtetarët e ‘Rilindjes’ do bëhen edhe ma arrogantë seç janë dhe Shqipëria do mbetet parajsë për pushtetarët, e ferrë për popullin, do mbetet shtet ku hajduët e vendit nuk e kanë frikë pronarin e tij të vërtet – popullin, por do ndodh e kundërta – pronarët do i kenë frikë hajdutët e pronës së tyre! (Kim Mehmeti)