Nesër deputetet e Kuvendit të Kosovës do të mbajnë seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të Lidhjes Demokratike të Kosovës me qëllim të arritjes së nxjerrjes së një rezolute në mbrojtje të qytetarëve nga rritja e çmimeve në vend.
Deputetja e këtij subjekti Valentina Bunjaku Rexhepi duke folur për seancën e nesërme ka treguar se rezoluta do të përmbajë detyrime konkrete për Qeverinë.
“LDK ka thirr seancë të jashtëzakonshme që të diskutohet për rritjen e çmimeve dhe për dëmin që po u bëhet qytetarëve në këtë periudhë. Në fund, presim të nxjerrim një rezolutë, e cila besojmë që do të përkrahet nga të gjitha partitë si nga opozita ashtu edhe nga partia në pushtet. Janë 40 nënshkrime në kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, ku të gjitha partitë opozitare e kanë përkrahur, prandaj besoj se ato do ta përkrahin edhe rezolutën. Por, nëse ka interesim dhe vullnet të mirë besoj se do të koordinohemi edhe me partinë në pushtet për të nxjerrë një rezolutë sa më të mirë në mbrojtje të qytetarëve në këto ditë të rënda”, ka theksuar Bunjaku-Rexhepi, në një intervistë në emisionin “Imazhi i ditës” në RTK 1.
Ajo ka thënë se ideologjikisht dallojnë edhe si opozitë, si me PDK-në ashtu edhe me AAK-në, por sipas saj kur është në pyetje interesi i qytetarëve, atëherë patjetër duhet bërë bashkë për të ngritur zërin në dobi të qytetarëve.
Tutje deputetja e LDK-së ka folur edhe për vendimet e fundit që Qeverisë kundër rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore dhe derivateve. Ajo ka thënë se këto vendime janë ndërmarrë vetëm pas reagimeve të opinionit të përgjithshëm publik.
“E kanë pas patjetër mi ndërmarr këto vendime, pasi fillimisht qeveria nuk reagoi dhe çmimet u dyfishuan. Sikur të mos kishte presion nga opinioni publik, atëherë qeveria nuk do të reagonte fare. Ata ishin të obliguar të reagonin, pasi duke i parë protestat në Shqipëri u trembën nga një reagim i tillë edhe tek ne. Qeveria është shërbyese e qytetarëve dhe nuk duhet të pritet të reagohet vetëm pas protestave të qytetarëve. Është një zinxhir i rritjes së çmimeve, derisa pagat po mbesin të njëjta si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat dhe kjo po ua rëndon jetën qytetarëve”, ka potencuar deputetja e LDK-së.
Ajo ka thënë se Qeveria dhe inspektorët nuk duhet të hyjnë në aksion vetëm kur ka reagim qytetarë, por është obligim i tyre i përditshëm për t’u përkujdesur për mbrojtjen e qytetarëve dhe të mos të dëmtohen nga ngritja e çmimeve.
Bunjaku-Rexhepi ka thënë se ka pasur shpresa që kjo qeveri do të punojë mirë, por sipas saj tani është e bindur se kjo qeveri nuk është në shërbim të qytetarëve, por në shërbime të militantëve dhe familjarëve të tyre.
Seanca e thirrur nga LDK mbahet nesër në orën 11:00. /RTKLIVE/