Strategjia e BE-së për Ballkanin, e prezantuar një ditë më parë në Bruksel, shënoi zyrtarisht ndryshimin e paralajmëruar të kursit pas zotimeve të mëhershme për frenimin e zgjerimit, në vazhdën e pranimit të nxituar të Rumanisë e Bullgarisë.
Por skepticizmi i disa vendeve anëtare, sidomos Gjermanisë, nuk mungon. Intervistën e saj me Komisionerin Johannes Hahn, pas paraqitjes së dokumentit, “Deutsche Ëelle” e nis pikërisht me shqetësimin që buron nga problemet e mëdha të cilat rrethojnë rajonin, si korrupsioni, mosmarrëveshjet e kufijve apo situata ekonomike.
Çfare e shtyn bllokun të besojë se disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mund të bëhen pjesë e bllokut në vitin 2025?
Përgjigjja e Hahnit përmblidhet në argumentin se është në interesin e BE-së të eksportojë stabilitet, me qëllim që të pengohet paqëndrueshmëria.
“Njerëzit në rajon e meritojnë afrimin dhe është gjithashtu në interesin tonë që të shmangim rrjedhjen e trurit nga këto vende”, tha zyrtari i lartë europian. Viti 2025, sipas tij, nuk duhet parë si një përkufizim i qartë kohor, por thjesht si përcaktim indikativ, ose si nxitje për t’i shtyrë udhëheqësit rajonalë të përmbushin detyrat që kanë.
Në përkufizimin e “EuObserver”, që merr gjithashtu në analizë zhvillimet e një dite më parë, korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten endemike në rajon.