Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pagën minimale nga 170 euro sa është tani, tash e një dekadë, duan ta bëjnë 264 euro, por për këtë duhet të pajtohen në Këshillin Ekonomiko-Social.
Kryeministri Kurti këto komente i bëri gjatë vizitës në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa”, në Prishtinë, të cilën e vizitoi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sindromës Down.
Kryeministri tha se duan ta ngrisin pagën minimale por nevojitet pajtim në Këshillin Ekonomiko-Social.
“Sa i përket pagës minimale, ne kemi thënë që atë do ta rrisim nga 130 përkatësisht 170 euro sa është tani, tash e një dekadë ta bëjmë 250 euro, por në fakt ne do ta bëjmë 264 euro. Por, për këtë duhet të merremi vesh në Këshillin Ekonomiko-Social”, u shpreh Kurti.
Me gjithë rritjen e inflacionit, paga minimale në Kosovë mbetet e pandryshuar – edhe atë qysh në vitin 2011.
Vlera e kësaj page është 170 euro – sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, më e ulëta në Evropë.
Inflacioni, në anën tjetër, ka arritur në 7.5 për qind muajin e kaluar, krahasuar me 0.7 për qind sa ka qenë në shkurt të vitit 2021.