Me një manifestim solemn, kanë nisur mbrëmë aktivitetet një javore të Flakadanit të Karadakut, që i kushtohen dëshmorit të kombit Nijazi Azemi-Komandant Mjekrra. Të pranishëm të këtë tubim, ishin përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, kryetari i komunës së Bujanovcit Nagip Arifi, kryetarja e Presheves Ardita Sinani, përfaqësues të ish-UÇPMB-së Mustaf Shaqiri, Shefqet Musliu e musafirë të tjera nga mbarë hapësirat shqiptare. Manifestimin e sivjetmë të Flakadanit, i shpalli të hapur kryetari i komunës së Vitisë,Sokol Haliti, nën përkujdesjen e së cilit edhe mbahet ky manifestim. Në fjalën e tij, kryetari Haliti tha se është emocion i vërtet por në të njejtën kohë edhe krenari, sa herë gjendemi në sheshin e qytetit Nijazi Azemi dhe pranë shtatores së komandant Mjekrrës, sepse na kujton shumë ngjarje historike e të lavdisë që na sjell marsi.
“Na kujton marsin e lavdisë së familjes Jashari në Prekaz, demonstratat gjithë popullore të 81-shit, e po ashtu na kujton betejën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ku në atë betejë ra për të mos vdekur kurr, Njazi Azemi-komandant Mjekrra. Jemi sot së bashku, që të bëjmë hapjen solemne të Manifestimit tradicional Flakadanit të Karadakut, që këtë vit shënon jubileun e veprimtarisë kulturore, artistike e sportive. Ky rrugëtim 20 vjeçar i veprimtarisë së Flakadanit, ku për gjatë këtyre viteve, arriti suksesshëm të degëzohet në gjitha trevat ku flitet shqip e të bashkoj artistët e sportistët nga të gjitha trojet shqiptare. Andaj, shfrytëzoj rastin që të shpreh falënderimet më të përzemërta për të gjithë ata që kontribuuan në mbarëvajtjen e manifestimit gjatë këtij rrugëtimi, e po ashtu mirënjohje të pafundme gjithë grupeve artistike, poetëve e shkrimtarëve, ansambleve e shoqërive dhe sportistëve, që e kanë madhështuar manifestimin me pjesëmarrjen e tyre. “Manifestimi tradicional gjithëkombëtar Kulturor e sportivë “Flakadani i Karadakut”, që personifikon figurën e dëshmorit të kombit Njazi Azemi –komandant Mjekrra, është një nga ngjarjet më kulmore në komunën e Vitisë”, ka thënë Haliti. Për ngjarjet kulturore e sportive që pritet të zhvillohen gjatë kësaj jave të Flakadanit, foli drejtori i Drejtorisë për Kulturë Rini e Sport Valmir Sahiti. Ai mes tjerash ka theksuar se përmes këtyre aktiviteteve, po arrijnë që edhe në këtë vit jubilar, të grumbullojnë artistë, solistë, valltar e sportistë nga gjitha trevat shqiptare, në Vitinë e Nijazi Azemit që gjithandej njihet si komandant Mjekrra. Për veprimtarinë e dëshmorit Nijazi Azemi, foli kryetari i OVL të UÇK-së dega në Viti Abdyl Bajrami , që ndër tjerash tha se “Flakadani i Karadakut, pos që na përkujton historinë e lavdishme të luftës së UÇPMB-së, po na mundëson të takohemi e të njoftohemi me njerëzit e të gjitha profileve e nga të gjitha trojet shqiptare. “Ky manifestim i madh multi-kulturor i kushtohet një ndër fytyrave më markante në fillim të këtij shekulli, të historisë më të re të kombit shqiptar, heroit Nijazi Azemi. Nijaziu si ushtar besnik i komandantit legjendar te UÇK-së Adem Jasharit, e vazhdoi luftën për çlirimin e trojeve shqiptare edhe pas çlirimit të Kosovës. Komandant “ Mjekrra “ kaloi në përjetësi në luftë për çlirimin Kosovës Lindore në malësi të Karadakut në fshatin Stanec të komunës së Preshevës. Ra për të mos vdekur kurrë, sepse atë e bënë të pavdekshëm heroizmi dhe vepra e tij për liri të trojeve shqiptare”, ka thënë Bajrami. Manifestimi ka vazhduar me ndezjen e flakadanit të cilin e ndezën Ramush Azemi-babai i dëshmorit Nijazi Azemi, kryetari i komunës Sokol Haliti, kryetarja e Preshevës Ardita Sinani, kryetari i Bujanovcit Nagip Arifi, ish-komandanti i UÇPMB-së Shefqet Musliu, Drilon Ibrahimi pjesëmarrës i lojërave olimpike në Tokyo, e Patriot Osmani artist dhe fitues i shumë çmimeve në festivale vendore e ndërkombëtare. Ndërsa në pjesën artistike, me këngë për dëshmorin Nijazi Azemi u prezantuan këngëtarët e mirënjohur Merita Sahiti, Ismet Behxheti dhe Fahrush Azemi. Manifestimi Flakadani i Karadakut, vazhdon sot me 22 mars me garat e recituesve për nxënësit e shkollave të mesme të rajonit, ndërsa nesër mbahet Ora e madhe letrare. Ndërkohë më 24 deri më 26 mars, do të mbahet Festivali i Ansambleve dhe Shoqërive Kulturo Artistike.
U hap Manifestimi tradicional kulturor e sportivë “Flakadani i Karadakut 2022”
Ndani këtë artikull