Strategjia e re e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor e trajton Kosovën si vend të barabartë me shtetet tjera të rajonit, dhe ofron perspektivë të qartë të anëtarësimit në vendeve të Ballkanit në BE. Kështu ka thënë mbrëmë Natalia Apostolova, shefe e zyrës së BE-së në Kosovë.
Edhe pse më afër anëtarësimit në BE janë Mali i Zi dhe Serbia, kjo e fundit duhet të jap fillimisht një zgjidhje punëve me Kosovën e pastaj të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. E lidhur më këtë çështje, Kosova e Serbia po i transmetojnë ndryshe qëndrimet.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se me Strategjinë e re për zgjerim të Bashkimit Evropian, Serbia obligohet ta njohë Republikën e Kosovës.
Ai ka theksuar se ky dokument, përveçse e sheh Kosovën pjesë të politikës së zgjerimit të BE’së, ofron edhe një qartësi të procesit të dialogut me Serbinë.
Hoxhaj ka thënë për “Epoka e re” se pesë vendet anëtare të BE’së, që nuk e kanë njohur Kosovën, kanë ndikuar në këtë dokument.
Zëvendëskryeministri kosovar ka ftuar anëtarët e BE’së, që kanë njohur Kosovën, të mos fshihen pas zërave kundërshtues, por të jenë të qartë për të ardhmen evropiane të Kosovës.
E, teksa ka folur për liberalizimin e vizave, Hoxhaj ka bërë thirrje që të gjendet një zgjidhje e shpejtë konsensuale për demarkacionin me Malin e Zi.
Se Serbia duhet së pari të rregulloj raportet me Kosovën e pastaj të shqyrtoj mundësinë për BE, e ka pranuar edhe Presidenti serb Aleksandar Vucic.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi dje, në një konferencë për media me euro-komisarin Johannes Hahn, se para Serbisë gjenden pengesa të mëdha “një Mont Everest”, për të cilat do të duhet të vendosin qytetarët, ndërsa ndër më të mëdhatë është çështja e Kosovës, transmeton Gazeta Express.
Sipas raporteve të medias serbe nga pres-konferenca pas takimit me Hahnin në Beograd, dy pengesat tjera të cilat i ka përmendur presidenti serb janë kontestet rreth kufijve me Bosnjë e Hercegovinën dhe Kroacinë.
“A janë këto pengesa të lehta për ne? Nuk janë, si Himalajet janë, por ne s’do të ishim të parët që janë ngjitur në Mont Everest”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar: “(ka ardhur koha që) të marrim vendime, të paguajmë çmime të caktuara nga e kaluara dhe t’i zgjidhim problemet të cilat askush s’i ka zgjidhur me dekada”.
Vuçiq ka thënë se bëhet fjalë për “çështje aq të mëdha sa qytetarët do të duhet të deklarohen për to”.
“A po e shohim ardhmërinë në Evropë, për çka na duhet të paguajmë një çmim të caktuar, që nuk është i ulët, apo të mbetemi në këtë tani? Këtë do ta vendosin qytetarët dhe ne do ta respektojmë atë vendim. Por, nuk do të fshihem, porse do ta them atë që mendoj se është më e mira për vendin, kurse qytetarët do të tregojnë se a është kjo fer apo jo”, ka theksuar Vuçiqi.