Grupi i Grave Deputete, shoqëruar edhe nga drejtoresha e Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), Nancy Soderberg, bëri sot homazhe dhe vendosi lule te busti i ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madaleine Albright, me rastin e ndarjes së saj nga jeta, dje në moshën 84-vjeçare.
Në emër të GGD-së, kryetarja Tinka Kurti shprehu falënderimet për veprën dhe kontributin e ish-Sekretares së Shtetit dhe ndikimin që pati në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999.
Ajo tha se nderimi që po i bëhet sot ish-Sekretares Albright, është shenjë se ajo do të jetë gjithnjë në mendjet dhe zemrat e popullit të Kosovës.
“Bashkë me Grupin e Grave Deputete, që është një grupim i të gjitha subjekteve politike, po ashtu bashkë me drejtoreshën e NDI-së, Nancy Soderberg, e cila e kishte mentore direkte të punës së saj zonjën Madeleine Albright, miken e madhe të Kosovës që e ndihmoi në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, shprehëm sot trishtimin për humbjen e jetës së saj dhe po ashtu të tregojmë se ajo do të jetë në mendjet dhe zemrat e popullit tonë përjetësisht”, tha deputetja Kurti.