Osmani në 23-vjetorin e intervenimit të NATO-s e falënderon atë: Kosova, populli më pro NATO në botë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri një adresim në 23 vjetorin e intervenimit të NATO-s.
Ajo tha se si sot, 23 vite më parë, më 24 mars 1999, fati dhe jeta e gjithsecilit mori kthesën e shpresës, kjo sipas saj, me ndihmën e aleatëve të cilët vendosën t’i japin fund gjenocidit dhe krimeve të paskrupullta nga ana e Millosheviqit që synonte me çdo kusht shfarosjen e popullit tonë.
“Bombat e drejtuara mbi caqet e ushtrisë dhe policisë serbe ishin sinjali i parë se shpresa dhe e drejta e dy milionë shqiptarëve për liri dhe demokraci po jetësohej. Prandaj sot e përjetësisht i jemi mirënjohës NATO-s, ashtu siç i jemi mirënjohës trupave paqeruajtëse, grave e burrave të cilët i dolën në krahë te drejtës dhe paqes, duke vulosur mbrojtjen dhe lirinë e sigurinë e çdo qytetari të Kosovës”, u shpreh ajo përmes një videoje.
Ndërhyrja e NATO-s, tha Osmani, i hapi rrugë rilindjes së lirisë dhe demokracisë në Kosovë. Kjo, pas dekadash dhune, aparteidi e diskriminimi sistematik që rezultoi në një luftë të përgjakshme e udhëhequr nga synimet fashiste për të vrarë, përdhunuar e shpërngulur më dhunë popullin e Kosovës nga toka e tyre.
“Është për të ardhur keq që sot gjejmë veten në një pozicion ku duhet të mbrojmë vendimin e drejtë të NATO-s për ta ndalur gjenocidin në Kosovë. Por, të jeni të sigurt që ne nuk do të ndalemi asnjëherë nga mbrojtja e së vërtetës! E vërteta është kjo: ndërhyrja e NATO-s nuk ishte vetëm e nevojshme, por ishte mëse e mirëpritur nga populli i Kosovës. Vetë ekzistenca jonë si popull i lirë dhe i pavarur është suksesi i përbashkët i rezistencës sonë çlirimitare dhe vendimit të NATO-s për të ndërhyrë”, u shpreh ajo.
“Për forcat destruktive që sot i vënë në pikëpyetje qëllimet e NATO-s, ajo që është më me rëndësi është se populli i Kosovës – populli më pro NATO në botë – e di të vërtetën. Bota demokratike, po ashtu, e di të vërtetën”, tha ajo.
Osmani, shtoi se “Sot, edhe një herë, shohim se si shkelet demokracia dhe vritet liria. Pikërisht sot, më 24 mars, NATO është mbledhur për të disktuar për agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës. Pamjet rrënqethëse të sulmeve ndaj civilëve të pafajshëm ukrainas janë përkujtues i rëndë e i vështirë i një të kaluare të errët për popullin tonë. Por ne, si shtet, nuk i kemi marrë asnjëherë të mirëqena veprimet e aleatëve tanë në mbështetje të Kosovës. Këtë ua kemi dëshmuar duke u rreshtuar në një vijë me ta e duke qëndruar të bashkuar përballë tiranisë e autokracisë.
Po ashtu, një gjë është e sigurt,: mësimet nga e kaluara qartësojnë vizionin për të ardhmen, prandaj Kosova dhe ne si qytetarë të saj kemi përkushtim të përhershëm rrugën drejt antarësimit në familjen euro-atlantike duke mbrojtur vlerat e përbashkëta për liri dhe demokraci. Zoti e bekoftë Kosovën dhe aleatët e saj!”.